Vijon operacioni policor i koduar “LIMIT”, si rezultat i të cilit u shkatërruan 4 grupe kriminale në fushën e narkotikëve.
Në kuadër të operacionit u arrestuan 57 persona dhe u shpallën në kërkim 8 të tjerë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar kanabis, kokainë, laboratorë për kultivimin e bimëve narkotike, fara kanabisi, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara.
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në bashkëpunim me DVP Korçë, është kapur një prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.
Vihet në pranga 40-vjeçari K. H., pjesë e njërit prej 4 grupeve të strukturuara kriminale, i cili për qëllime përfitimi të grupit në të cilin bënte pjesë, transportonte emigrantë të paligjshëm, duke iu premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, si dhe merrej edhe me trafikimin e lëndëve narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, si edhe me Forcat e Posaçme Operacionale pranë DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë të shpallur në kërkim, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe falë koordinimit të veprimeve, bënë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim K. H., 40 vjeç, banues në fshatin Kurilë, Devoll.
Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim.