Korçë/Vijon operacioni policor “Basti i fundit”, për goditjen e organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit dhe për goditjen e informalitetit.
U kapën duke organizuar lojëra fati (bixhoz me zare), në një lokal të paregjistruar, vihen në hetim 7 shtetas.
Shpallet në kërkim shtetasi që e kishte marrë me qira këtë ambient, për ta përshtatur për kryerjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, për goditjen e informalitetit dhe organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme. Si rezultat kanë evidentuar dhe goditur një rast tjetër të këtyre paligjshmërive, për të cilin është iniciuar hetimi në gjendje të lirë, për 7 shtetas, konkretisht:
E. K., 39 vjeç, F. G., 21 vjeç, K. V., 26 vjeç, K. B., 37 vjeç, R. M., 29 vjeç, E. Sh., 27 vjeç, E. D., 30 vjeç, banues në Korçë dhe në fshatrat Bulgarec, Dishnicë dhe Libonik.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u shpall në kërkim edhe shtetasi D. B., 18 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq. Vijon puna për kapjen e këtij shtetasi.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga Policia në një lokal të paregjistruar në organet kompetente, në lagjen nr. 11, të marrë me qira nga shtetasi D. B., u kapën 7 shtetasit e proceduar penalisht, duke luajtur lojëra fati (bixhoz me zare), në kundërshtim me ligjin.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 tavolinë pokeri, një sasi çipsash, letra bixhozi dhe një shumë parash që dyshohet se ishte përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”; “Fshehja e të ardhurave” dhe “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”.