Korçë – Finalizohet faza e njëmbëdhjetë e operacionit policor të koduar “Restart”, i nisur nëntë muaj më parë

Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, nën drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, në drejtim të shtetit turk.

Fshehën lëndën narkotike në shufra plastike, në rimorkion e kamionit, me qëllim trafikimin e saj drejt Turqisë, vihen në pranga 2 punonjësit e një kompanie private ushqimore, njëri prej të cilëve transportuesi i saj.

Sekuestrohen 101 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Shkon në 25 numri i të ndaluarve, në 666.5 kilogramë lëndë narkotike kanabis dhe 550 gramë kanabis në formë çokollate, të sekuestruara në kuadër të këtij operacioni.

Në vijim të operacionit antidrogë të koduar “Restart”, nisur nëntë muaj më parë, specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, Stacionin e Policisë Kufitare Kapshticë, nën drejtimin e Prokurorisë, finalizuan me sukses fazën e njëmbëdhjetë të tij. Si rezultat i saj, u bë ndalimi i shtetasve:

– M .R., 58 vjeç, banues në Tiranë dhe A. M., 45 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.

Shërbimet e Policisë kishin grumbulluar informacion se nëpërmjet Greqisë, me një mjet të tonazhit të rëndë, do të trafikohej një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Pas këtij informacioni, është organizuar puna në bashkëpunim me punonjësit e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë dhe në dalje të Republikës së Shqipërisë, u bë i mundur ndalimi i mjetit tip kamion i markës “Scania”, me drejtues shtetasin M. R.

Nga kontrolli i ushtruar në rimorkion e automjetit, u gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 101 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se shtetasi A. M. (punonjës i një kompanie private ushqimore, me qendër në qytetin e Tiranës) në bashkëpunim me persona të tjerë, kishte ngarkuar lëndën narkotike në automjet, ndërsa shtetasi M .R. (shofer në kompani) do të kryente transportin e sasisë, në drejtim të Turqisë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe vënien para përgjegjësisë penale të personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.