Procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas që u kapën në flagrancë në 3 lokale, duke vënë baste sportive, me celularë.
Njëri nga këta shtetas, pronari i lokalit, e ushtronte aktivitetin në këtë subjekt, pa licencë dhe i paregjistruar në organet tatimore.
Sekuestrohen 5 celularë që përdoreshin për lojëra fati dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë vijuar kontrollet në ambiente të ndryshme të qytetit të Korçës. Si rezultat, në vijim të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, në lagjet nr. 1 dhe 6, Korçë, janë goditur 4 raste të tjera të kësaj paligjshmërie.
Në vijim të veprimeve për këto raste, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Korçë referuan materialet në Prokurori ku filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:
-P. N., 28 vjeç, F. M., 30 vjeç dhe J. Ç., 30 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 6, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin e 28-vjeçarit u kapën duke vënë baste sportive nëpërmjet celularëve. Nga verifikimet e kryera rezultoi se 28-vjeçari e ushtronte aktivitetin në këtë subjekt, pa licencë dhe i paregjistruar në organet tatimore;
-R. R., 29 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 6, gjatë kontrollit të ushtruar në një lokal, u kap duke vënë baste sportive nëpërmjet celularit;
-S. L., 32 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 1, gjatë kontrollit të ushtruar në lokalin në përdorim të tij, shërbimet e Policisë gjetën në celularin e tij, biseda dhe aplikacione për vënien e basteve sportive.
5 celularët e këtyre shtetasve dhe një shumë parash që dyshohet se mund të jetë fituar nga kjo veprimtari e paligjshme, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.