Kavajë/ Vijon operacioni policor i koduar “Basti i fundit”, për konstatimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.
U kapën në flagrancë, në lokale në Kavajë dhe në Rrogozhinë, duke vënë baste sportive, me celularë, arrestohet një shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë një tjetër.
Procedohet në gjendje të lirë dhe pronari i lokalit në Kavajë, pasi nuk kishte regjistruar biznesin.
Sekuestrohen celularë, me faqe bastesh aktive në ta.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kavajë, si rezultat i kontrolleve të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Basti i fundit”, me fokus parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të organizimit të lojërave të ndryshme të fatit, në kundërshtim me ligjin, kanë konstatuar 2 raste të tjera në këtë fushë.
Për këto raste është vënë në pranga shtetasi A. S., 54 vjeç, si dhe janë referuar materialet procedurale në Prokurori ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. C., 62 vjeç, banues në Kavajë dhe L. Sh., 30 vjeç, banues në Rrogozhinë.
54-vjeçari u kap në flagrancë, teksa vinte baste sportive, me celular, në lokalin në pronësi të shtetasit A. C., në Kavajë, lokal i cili nga verifikimet, rezultoi se nuk ishte i regjistruar në organet kompetente.
30-vjeçari u kap në flagrancë, teksa vinte baste sportive, me celular, në një lokal në Rrogozhinë. Gjithashtu, ky shtetas ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan celularë që shërbenin për vënien e basteve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.