Kavajë/Lirohen hapësira publike në plazhin e Golemit, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme

Golem, Kavajë

Vijojnë kontrollet në vijën bregdetare, në kuadër të operacionit policor të koduar “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike.

Lirohen hapësira publike në plazhin e Golemit, që ishin zënë në mënyrë të paligjshme.

Hiqen dhe sekuestrohen 116 çadra dhe 232 shezlongë.

Procedohen penalisht 3 shtetas.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, në kuadër të plan-operacionit “Plazhi i lirë”, kanë vijuar kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna pa lejen përkatëse nga subjekte të ndryshme, përmes vendosjes së çadrave dhe shezlongëve.

Gjatë kontrolleve, në hapësira publike në plazhin e Golemit, u hoqën dhe u sekuestruan gjithsej, 116 çadra dhe 232 shezlongë të vendosura në mënyrë të paligjshme nga 3 shtetas.

Në vijim të veprimeve, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. B., 54 vjeç, D. K., 38 vjeç dhe F. D., 24 vjeç, të tre banues në Kavajë.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet gjatë sezonit veror.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët dhe subjektet që të respektojnë hapësirat publike dhe të mos ndërhyjnë në mënyrë të paligjshme në to, pasi çdo shkelje do të pasojë me masa administrative dhe penale, sipas ligjit.