Kapshticë – Policia Kufitare, shtim të masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjatë 17 ditëve të para të këtij viti, janë evidentuar dhe ndëshkuar 13 raste të tentativës për kalim të kufirit me dokumenta të falsifikuara.

Procedohen penalisht 13 shtetas për “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.

Në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të kundraligjshëm në drejtim të falsifikimit dhe përdorimit të dokumenteve të falsifikuara, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, si rezulat i masave të shtuara, kanë intensifikuar kontrollet për dokumentacionin që përdorin qytetarët në dalje apo në hyrje të Republikës së Shqipërisë.

Nga data 1 janar dhe deri më 17, nga ana e këtyre shërbimeve gjatë kontrolleve të ushtruara në dalje të Republikës së Shqipërisë, janë konstatuar 13 raste të falsifikimit të vulave në pasaporta, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Në lidhje me këto raste, veprimet e mëtejshme janë kryer nga specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët në përfundim të veprimeve për çdo rast kanë proceduar penalisht në gjendje të lirë 13 shtetas.

Materialet në ngarkim të tyre i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës të Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.