Kapshticë/Policia Kufitare godet një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi

Kapshticë/Policia Kufitare godet një rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Sekuestrohen 30 000 dollarë kanadezë të padeklaruara. Procedohet penalisht poseduesja.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, në kuadër të kontrolleve të shtuara, bazuar dhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm një autobus linje, me të cilin udhëtonte si pasagjere shtetasja S. Th., 54 vjeçe, banuese në Kanada.

Gjatë kontrollit të ushtruar, 54-vjeçares iu gjetën në çantën e dorës 30 000 dollarë kanadezë të padeklaruara. Shuma e monetare u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Veprimet e mëtejshme procedurale u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimeve të DVKM Korçë, të cilët referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.