Kapshticë
Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Pragu”. Sekuestrohen rreth 1.1 kg heroinë dhe 750 gr kokainë.
Tentuan të trafikonin sasi drogash të forta, drejt Greqisë, teksa udhëtonin me kamion, arrestohen në flagrancë 2 shtetas (drejtues dhe pasagjer në këtë automjet).
4 pakot me lëndë narkotike heroinë dhe kokainë iu gjetën të fshehura në trup dhe në çantë pasagjerit.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, si rezultat i intensifikimit të kontrolleve në hyrje/dalje, të bazuara në analizën e riskut dhe të mbështetura nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, operacionin policor antidrogë të koduar “Pragu”.
Falë shkëmbimit të menjëhershëm të informacionit me strukturat e DVP Korçë, shërbimet e Policisë Kufitare të Kapshticës kanë kaluar për kontroll në vijën e dytë, automjetin kamion tip “Man”, me drejtues shtetasin D. T. dhe pasagjer shtetasin M. K.
Nga kontrollet e imtësishme në kamion dhe ndaj këtyre shtetasve, u gjetën 4 pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe heroinë (rreth 1.1 kg heroinë dhe 750 gr kokainë), të cilat i kishte fshehur në trup, pasagjeri në këtë automjet, shtetasi M. K.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan në flagrancë shtetasit D. T., 36 vjeç dhe M. K., 29 vjeç, të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.
Gjithashtu, sasitë e lëndëve narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.