Kakavijë
Mesditën e sotme, në pikën e kalimit kufitar Kavavijë, në territorin grek, u zhvillua ceremonia e hapjes së Qendrës së Bashkëpunimit Policor dhe Doganor Kakavijë, Greqi-Shqipëri.
Në këtë ceremoni morën pjesë zëvendësministri i Brendshëm i Republikës së Shqipërisë, z. Andi Mahila, dhe zëvendësministri për Mbrojtjen e Qytetarit të Republikës Helene të Greqisë, z. Elefterios Ikonomou.
Qendra e Bashkëpunimit Policor dhe Doganor do të ketë si qëllim shkëmbimin e informacioneve në kohë reale, me synim parandalimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Në këtë qendër do të punojnë punonjës të Policisë Kufitare shqiptare dhe të asaj greke.
Gjatë ceremonisë, zëvendësministrat Mahila dhe Ikonomou theksuan rëndësinë e forcimit akoma më shumë të bashkëpunimit mes dy policive dhe autoriteteve doganore, me qëllim përmirësimin e mëtejshëm të traditës së vendosur vitin e kaluar, për krijimin sa më shumë të lehtësirave ligjore për qytetarët që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar.
Gjithashtu, rëndësi të veçantë në këtë bashkëpunim merr parandalimi dhe goditja e krimeve ndërkufitare, kryesisht trafikimi i lëndëve narkotike dhe kontrabanda e mallrave.
Qendra e Bashkëpunimit Policor dhe Doganor Kakavijë do të mundësojë mbledhjen e informacionit dhe shkëmbimin e tij në kohë reale mes dy policive, eliminimin e disa procedurave që krijonin vonesa dhe rritjen e mundësive për të evidentuar, parandaluar dhe goditur krimet ndërkufitare. Hapja e kësaj qendre tregon vendosmërinë dhe seriozitetin e të dyja qeverive për të luftuar bashkërisht krimet ndërkufitare dhe për t’iu ofruar qytetarëve, një shërbim sa më cilësor.