Kakavijë – Goditet një rast i mosdeklarimit të të hollave në kufi

Sekuestrohen 19.450 euro, procedohet penalisht shtetasi italian i cili nuk deklaroi shumën e të hollave në PKK Kakavijë.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, motomjetin tip “Hyundai”, me drejtues shtetasin italian G. C.
Gjatë kontrollit të ushtruar në motomjetin e tij, shërbimet e Policisë Kufitare gjetën dhe sekuestruan 19.450 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.
Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin G. C., 53 vjeç, banues në Itali, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”.
Gjithashtu, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”, për shtetasit L. Sh., 28 vjeç dhe A. K., 28 vjeç, banues në SHBA, pasi në PKK Kakavijë, në dalje të RSH-së, gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë Kufitare Kakavijë, në automjetin tip “Benz”, me të cilin udhëtonin shtetasit e mësipërm, u gjetën dhe u sekuestruan disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.