Himarë
Vijon plani operacional policor i koduar “Coastline” për lirimin e hapësirave nga ndërtimet pa leje përgjatë vijës bregdetare në qarkun Vlorë.
Ndërtoi pa leje 4 objekte me strukturë druri (beach-bar dhe dhoma plazhi) në vijën bregdetare në Borsh, arrestohet 48-vjeçari.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje, veçanërisht në zonat urbane dhe ato bregdetare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, bazuar në informacionet e siguruara, kanë ushtruar kontroll në Borsh, ku kanë konstatuar të ndërtuara pa leje nga organet kompetente 4 objekte me strukturë druri, konkretisht 1 beach-bar dhe 3 dhoma plazhi.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin G. I., 48 vjeç, banues në Himarë, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”.
Operacionet policore “Coastline” dhe “Plazhi i lirë” do të vijojnë intensivisht në qarkun Vlorë, me qëllim rikthimin e hapësirave publike dhe ndëshkimin sipas ligjit të çdo shtetasi që prek këto hapësira dhe i shfrytëzon ato në mënyrë të paligjshme.