Sekuestrohen dhjetëra doza të këtyre lëndëve.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në kuadër të megaoperacionit “Tempulli”, se 2 shtetas shitnin doza lëndësh narkotike, në lokalet e natës në Himarë, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Vlorë ka finalizuar operacionin policor të koduar “Parts 25”.
Gjatë operacionit u kapën në flagrancë dhe u vunë në pranga shtetasit J. Ç., 27 vjeç dhe E. T., 20 vjeç, të dy banues në Tiranë.
Nga kontrolli në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, sasi të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis, të ndara në doza, gati për shitje.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.