Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, gjatë inspektimit të sotëm, së bashku me Ministrin e Punëve të Brendshme dhe Kryetarin e Bashkisë Himarë, për zbatimin e masave të ndërmarra në kuadër të sezonit turistik:
“Jemi në Himarë, një ndër destinacionet turistike më të veçanta të Shqipërisë. Edhe këtu Policia e Shtetit ka marrë masa për garantimin e rendit dhe sigurisë, por dhe për sigurinë detare dhe sigurinë rrugore, si elemente kryesore të sigurisë.
Dua të bëj me dije një risi që ne tashmë e kemi filluar gjatë këtij viti, ku kontrolli kufitar detar do të bëhet në det. Pra nuk ka më nevojë që jahtet apo anijet lundruese që do të jenë në det të vijnë te pika e kalimit kufitar, por ne do të shkojmë tek ata dhe do të bëhet kontrolli direkt në sistemin TIMS, ku do të hidhen të dhënat e të gjithë pushuesve që vijnë dhe frekuentojnë bregdetin tonë. Është për herë të parë këtë vit dhe ky është patjetër një zhvillim shumë i rëndësishëm për të rritur cilësinë e shërbimeve policore, për të ofruar më shumë rend, siguri dhe siguri detare.”
