Himarë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Pollution”, për goditjen e një rasti të krimeve kundër mjedisit.
Tentuan të ndotnin ujërat e lumit të Borshit, duke derdhur ujëra të zeza, gjatë natës, me autobot, arrestohet në flagrancë drejtuesi i autobotit dhe procedohet penalisht ndihmësi i tij.
Shpallet në kërkim pronari i subjektit ekonomik për llogari të të cilit kryhej kjo veprimtari kriminale.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në rrugë operative, se gjatë natës, do të derdhej një autobot me ujëra të zeza, në ujërat e lumit të Borshit, këto shërbime kanë ndërhyrë menjëherë dhe kanë bërë të mundur parandalimin e këtij krimi kundër mjedisit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Pollution”, u kap në flagrancë teksa tentonte të derdhte ujëra të zeza, në lumë, me autobotin që drejtonte, dhe u arrestua shtetasi G. Q., 40 vjeç, banues në Sarandë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për ndihmësin e 40-vjeçarit, shtetasin S. K., 44 vjeç, banues në Sarandë.
Nga veprimet hetimore rezultoi se këta shtetas e kryenin këtë veprimtari kriminale për llogari të një subjekti privat në pronësi të shtetasit S. Ç. Ky shtetas u shpall në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tij.
Në vijim të veprimeve procedurale u sekuestrua mjeti autobot.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.