Hapet aplikimi për konkurrim për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë “Bachelor”, në Akademinë e Sigurisë, për vitin akademik 2026 – 2027

Me qëllim plotësimin e nevojave për burime njerëzore në rolin e parë drejtues, në strukturat e Policisë së Shtetit, nëpërmjet një procesi konkurrimi të drejtë, të paanshëm dhe transparent, sipas parimit të shanseve të barabarta, mosdiskriminimit dhe meritës, njoftojmë hapjen e fazës së aplikimeve për konkurrim, për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë i studimeve “Bachelor”, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë, për 60 kuota të lira, për shtetasit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë.

 

PROCEDURAT QË NDIQEN PËR SHTETASIT QË KANË PËRFUNDUAR ARSIMIN E MESËM TË LARTË

Kriteret dhe procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit:

Kanë të drejtë të aplikojnë për të ndjekur studimet në Akademinë e Sigurisë, në programin “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë i studimeve “Bachelor”, me kohëzgjatje 3 vite akademike, shtetasit të cilët plotësojnë kriteret e mëposhtme:

a)të jetë shtetas shqiptar/e;

b)të ketë zotësi të plotë për të vepruar;

c)të jetë në gjendje të mirë shëndetësore;

d)të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, struktura të tjera të sigurisë kombëtare, apo të jetë larguar nga shërbimi civil me masë disiplinore;

  1. e) të ketë mbaruar arsimin e mesëm të lartë brenda ose jashtë vendit, të njohur ose ekuivalentuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në Republikën e Shqipërisë;

f)të jetë në gjëndje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;

h)të mos jetë i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;

i)të kenë filluar procedurat për t’u pajisur me dëshmi të aftësisë për drejtimin e automjetit, të tipit “B”;

j)të plotësojë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit;

k)të ketë notën mesatare të arsimit të mesëm të lartë, jo më pak se 6.5;

l)të jetë në moshën deri 30 vjeç në ditën e fillimit të vitit akademik;

m)të ketë gjatësinë trupore jo më pak se 170 cm për meshkuj dhe jo më pak se 160 cm për femra.

 

PROCEDURA E APLIKIMIT DHE FAZAT NË VIJIM

  1. a) aplikimi në portalin U-Albania, nëpërmjet formularit online të aplikimit, duke zgjedhur programin “Siguria dhe Hetimi”. Periudha: 27 korrik – 01 gusht 2026;
  2. b) nga portali U-Albania, shkarkohet lista e aplikantëve që kanë përzgjedhur programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”;

c)afishimi në mjediset e Akademisë së Sigurisë, si dhe në website-in e Policisë së Shtetit dhe Akademisë Së sigurisë, i listës së aplikantëve të cilët kanë aplikuar për programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”, duke përcaktuar fazat dhe datat e zhvillimit të testimeve.

d)regjistrimi i aplikantëve dhe dorëzimi i dokumentacionit fillestar.

 

APLIKANTËT I NËNSHTROHEN PROCESEVE:

Vlerësimi administrativ :  05 – 07 gusht 2026

Zhvillimi i testit fizik: 08 – 11 gusht 2026

Zhvillimi i intervistës me gojë dhe i testit psikologjik: 10 – 13 gusht 2026

Zhvillimi i kontrollit mjekësor: 14 – 19  gusht 2026

Administrimi i vërtetimeve të besueshmërisë : brenda datës 19 gusht 2026

Marrja e gjurmëve të gishtave në Institutin e Policisë Shkencore: 14 – 19  gusht 2026

Hartimi i listës së rezultateve sipas rendit zbritës:  22 gusht 2026

Afishimi dhe ngarkimi në portalin U-Albania i listës së rezultateve sipas rendit zbritës, duke përdorur si element identifikimi vetëm ID-në e maturës: 22 gusht 2026

Ankimimi i aplikantëve: 24 – 25 gusht 2026

Shqyrtimi i ankesave të aplikantëve: 25-26 gusht 2026

Publikimi në portalin U-Albania, i listës së aplikantëve fitues në rend zbritës: 26 gusht 2026

Regjistrimi dhe dorëzimi i dokumentacionit përfundimtar nga aplikantët e shpallur fitues: 26 gusht – 08 shtator 2026

 

Aplikantët që duan të ndjekin studimet në Akademinë e sigurisë, në programin e studimit të ciklit të parë “Bachelor”, “Siguria dhe Hetimi”, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 1, të këtij urdhri, të publikuara dhe në portalin U-Albania, duhet të aplikojnë në portalin U-Albania, në periudhën 27 korrik – 01 gusht 2026, nëpërmjet formularit online të aplikimit, duke zgjedhur programin “Siguria dhe Hetimi”.

 

Aplikantët, gjatë procesit të aplikimit duhet të shkarkojnë nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit, formularin e aplikimit, kërkesën model tip, formularin e vetëdeklarimit, si dhe skedën shëndetësore, bashkëlidhje e këtij urdhri, të cilat i dorëzojnë në momentin e regjistrimit në Akademinë e sigurisë. Për rubrikat e kontrollit të përgjithshëm, skeda shëndetësore të plotësohet pranë qendrave shëndetësore ku aplikanti ka vendbanimin, (përveç pikës 10 të kësaj skede e cila plotësohet në sektorin e profilaksi mjekimit) dhe dorëzohet nga aplikanti pranë komisionit, në momentin e zhvillimit të kontrollit shëndetësor.

 

APLIKANTËT, NË MOMENTIN E REGJISTRIMIT PRANË AKADEMISË SË SIGURISË, DUHET TË DORËZOJNË DOKUMENTACIONIN E MËPOSHTËM:

kërkesën model tip për regjistrim;

dokumetacion që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm të lartë, të noterizuar;

formularin e aplikimit për punësim në strukturat e policisë;

formularin e vetëdeklarimit;

fotokopje të kartës së identitetit;

certifikatë familjare.

 

Nëse gjatë shqyrtimit të dokumentacionit rezulton se aplikanti nuk plotëson një nga kriteret e përcaktuara, ai skualifikohet nga procesi i konkurrimit. Aplikanti njoftohet nëpërmjet email-it të evidentuar nga ana e tij në formularin e aplikimit, për arsyet e skualifikimit.

 

PROCESI I VLERËSIMIT, KONTROLLIT DHE TESTIMIT

Aplikantët i nënshtrohet procesit të vlerësimit, testimit dhe kontrollit, i cili përfshin:

-vlerësimin sipas notës mesatare të shkollës së mesme të lartë: 50 % të vlerësimit të përgjithshëm;

-testim fizik: 30% të vlerësimit të përgjithshëm

-intervista me gojë: 20% të vlerësimit të përgjithshëm

-testimit psikologjik: kalues/jo kalues

-kontrolli shëndetësor: i aftë/jo i aftë.

 

Testimi fizik, intervista me gojë, testi psikologjik dhe kontrolli shëndetësor, kryhen sipas rregullave të përcaktuara në procedurën standarte të punës, “Për zhvillimin e fazave të vlerësimit dhe testimit për pranimin në rolin zbatues dhe rolin e parë drejtues në Policinë e Shtetit”, miratuar me urdhër nr.609, datë 16.04.2026, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

 

Aplikantët njihen me rezultatet e testimit kundrejt nënshkrimit, brenda ditës kur ata zhvillojnë procesin e testimit.

 

NXJERRJA DHE PUBLIKIMI I REZULTATEVE

 

Komisioni i pranimit, më datë 22 gusht 2026, harton listën e rezultateve të aplikantëve, shqyrton vërtetimet e besueshmërisë dhe informacionin e ardhur nga Instituti i Policisë Shkencore për secilin aplikant dhe merr vendim për aplikantët qe kualifikohen dhe shpallen fitues, si dhe aplikantët të cilët nuk janë fitues;

Shpallen fitues vetëm aplikantët e renditur në liste sipas rezultateve në rend zbritës, brenda 60   kuotave të shpallura për konkurrim, të cilët plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara, kanë kaluar me sukses fazat e testimeve, janë të besueshëm, nuk kanë pengesa ligjore për pranimin në rolin e parë drejtues të Policisë së Shtetit.

 

Komisioni i pranimit, më datë 22 gusht 2026, afishon dhe publikon listat e renditjes së aplikantëve, duke përdorur si element identifikimi vetëm ID-në e tyre të maturës, në mënyrë që të respektohen përcaktimet e kuadrit ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale. Akademia e Sigurisë ngarkon një kopje elektronike të këtyre listave në portalin u-albania.

 

PROCESI I ANKIMIMIT

Aplikanti ka të drejtën e ankimimit pranë komisionit të shqyrtimit të ankesave në adresën e email-it burimet.njerezore@asp.gov.al ose fizikisht në sekretarinë e drejtorisë së burimeve njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, sipas afateve si vijon:

-për rezultatet e arritura në fazat e testimit/ skualifikimin e tij, brenda 2 ditëve nga marrja e njoftimit;

-për renditjen në listën e publikuar në u-albania, në datat 24-25 gusht 2026.

 

Trajtimi i ankesave bëhet në përputhje me procedurën standarde të punës, “Për zhvillimin e fazave të vlerësimit dhe testimit për pranimin në rolin zbatues dhe rolin e parë drejtues në policinë e shtetit”, miratuar me urdhër nr.609, datë 16.04.2026, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

 

Komisioni i shqyrtimit të ankesave, pas shqyrtimit të ankesave merr vendim dhe ja vë në dispozicion komisionit të pranimit, me qëllim vijimin e fazave të procesit të konkurrimit procesi. njoftimi mbi vendimin e komisionit bëhet nga sekretaria teknike e tij.

 

SHPALLJA E REZULTATEVE PËRFUNDIMTARE DHE REGJISTRIMI I APLIKANTËVE

Pas përfundimit të procesit të ankimimit, komisioni i pranimit, më datë 26 gusht 2026, bën publikimin në portalin u-albania, të listës së aplikantëve fitues në rend zbritës.

Gjatë periudhës 26 gusht – 08 shtator 2026, komisioni i pranimit bën regjistrimin e aplikantëve fitues. Aplikantët fitues, në momentin e regjistrimit, dorëzojnë dokumentacionin shtesë, që  përfshin:

  1. a) certifikatë të gjendjes gjyqësore;
  2. b) vërtetim që është i regjistruar për marrjen e dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “b”;

c)vërtetim nga gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;

d)vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;

e)vërtetim nga struktura e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (SPAK);

 

Nëse pas përfundimit të raundit të parë, nuk plotësohen kuotat e lira për konkurrim, procesi i aplikimit dhe regjistrimit rifillon sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në urdhrin e përbashkët të Qendrës së Shërbimeve arsimore dhe Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar, në Ministrinë e Arsimit dhe Sporteve, nr.108, datë 15.06.2026 “Për miratimin e kalendarit për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në institucionet e arsimit të lartë, për vitin akademik 2026 – 2027”.

Procesi i pranimit në Policinë e Shtetit menaxhohet dhe koordinohet nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Akademia e Sigurisë.

Në momentin e fillimit të studimeve, aplikanti nënshkruan kontratën me drejtuesin e Akademisë së Sigurisë. Në kontratë përcaktohen të drejtat dhe detyrimet gjatë shkollimit, si dhe qëndrimit në detyrë në strukturat policore, jo më pak se 3 vjet pas përfundimit të studimeve.

Shtetasit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, që pranohen të vazhdojnë studimet me kohë të plotë në ciklin e parë “Bachelor”, në Akademinë e Sigurisë, në momentin e fillimit të studimeve, trajtohen sipas vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 4, datë 09.01.2025 “Për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore dhe përcaktimin e kritereve e të procedurave për dhënien e shpërblimeve për punonjësit e policisë së shtetit”, i ndryshuar.

Monitorimi i procesit të pranimit në Policinë e Shtetit të kryhet nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.

 

Shkarkoni formularët:

FORMULARI-I-APLIKIMIT-PER-PRANIM-NE-POLICI-1.docx

FORMULAR-VETDEKLARIMI-1.docx

Kerkese-per-aplikim-per-fakultet-1.docx

SKEDA-MJEKESORE-Model-i-Ri-1.docx