HAPEN APLIKIMET PËR PRANIM NË FUNKSIONIN E VEÇANTË SPECIALIST/ASISTENT, NË KABINETIN E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njofton:

Hapen aplikimet për pranim në funksionin e veçantë në Policisë së Shtetit, Specialist/asistent, në Kabinetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit (Zyra Ndihmëse), me gradën policore “Kryekomisar”.

Aplikimet fillojnë më datë 08.07.2022 dhe përfundojnë më datë 12.07.2022.

Aplikimet bëhen në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, në Departamentin për Shërbimet Mbështetëse, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.

Kriteret e pranimit në funksionin e veçantë, Specialist/asistent, në Kabinetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, janë:

  1. Të jetë shtetas shqiptar;
  2. Të mos jetë i përjashtuar nga Policia e Shtetit, strukturat e tjera të sigurisë kombëtare, apo të jetë larguar nga shërbimi civil.”
  3. Të ketë përfunduar arsimin e lartë përkatës;
  4. Të ketë zotësi të plotë për të vepruar;
  5. Të jetë në gjendje të mirë shëndetësore dhe i aftë fizikisht për të kryer detyrën;
  6. Të zotërojë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
  1. Të ketë përvojë pune jo më pak se 5 vjet profesionale;
  2. Të mos jetë i dënuar me vendim gjykate, të formës së prerë, për kryerjen e një krimi apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
  3. Të ketë dëshmi të aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit B;
  4. Të jetë pajisur me vërtetimin e besueshmërisë;
  5. Të plotësojë kriteret e tjera të veçanta.

Kritere të veçanta:

Kritere të veçanta që duhet të plotësojë aplikanti për funksionin e veçantë “Specialist/asistent, në Kabinetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit (Zyra ndihmëse)”, janë si më poshtë:

  • Të ketë përfunduar ciklin e dytë të Arsimit të Lartë, në shkenca shoqërore.
  • Të ketë njohuri e kualifikime në gjuhësi, redaktim, sekretari, etj.
  • Të ketë eksperiencë pune në fushën organizative dhe teknike për dhënien e asistencës së drejtuesit të institucionit.
  • Të zotërojë gjuhën angleze, të vërtetuar me dëshmi.
  • Të jetë njohës i programeve kompjuterike.
  • Të ketë jo më pak se 5-vjet përvojë pune profesionale.
  • Të ketë aftësi të punës në grup dhe aftësi të mira komunikimi dhe prezantimi.
  • Të mos ketë pengesa ligjore për t’u pajisur ne certifikatë sigurie personeli.

Aplikanti të paraqesë, në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, dokumentacionin e mëposhtëm:

  1. Formularin e aplikimit tip (bashkëlidhur këtij urdhri);
  2. Fotokopje të kartës së identitetit;
  3. Dokument zyrtar që vërteton përfundimin e arsimit, trajnimeve përkatëse;
  4. Fotokopje të dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
  5. Certifikatë e gjendjes gjyqësore;
  6. Certifikatë familjare;
  7. Vërtetim nga gjykata;
  8. Vërtetim nga prokuroria;
  9. Raport mjeko-ligjor;
  10. Fotokopje e librezës së punës;
  11. Dokument të lëshuar nga institucionet shëndetësore që vërteton se nuk është përdorues i lëndëve narkotike.

Punonjësi në funksionin e veçantë, “Specialist/asistent, në Kabinetin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit (Zyra ndihmëse)”, kryen këto detyra specifike:

  1. Asiston dhe ndihmon Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, në ushtrimin e kompetencave si autoriteti më i lartë ekzekutiv, administrativ dhe operacional i Policisë së Shtetit.
  2. Sipas detyrave të dhëna nga eprori merr masa organizative dhe teknike për të ndihmuar në ushtrimin e kompetencave si autoriteti drejtues i Policisë së Shtetit.
  3. Mbajtjen në vijushmëri të kalendarit të punës në lidhje me të gjitha takimet e mundshme të drejtuesit të institucionit në aktivitetet e caktuara, duke ia bërë prezent eprorit.
  4. Përgatit dhe ndjek programin e aktivitetit në mënyrë të saktë e të përshkruar hollësisht dhe sipas afateve dhe datave të përcaktuara, ndjek realizimin e detyrave.
  5. Shënon dhe vlerëson të gjithë informacionin e marrë në adresë të eprorit dhe ja sjell në vëmendje Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.Mesazhet që konsiderohen urgjente i bëhen të njohura menjëherë.
  6. Mban regjistrin për evidentimin e dinamikës e korrespondencës si: porosi të dhëna, afati i kthimit të përgjigjeve, struktura që do të kthejë përgjigje, etj.
  7. Sjell në vëmendjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, detyra të rëndësishme osë probleme të tjera, të cilat kërkojnë ndërhyrjen dhe angazhimin e tij.

Procesi i konkurrimit përfshin:

  1. Jetëshkrimi i aplikantit,

Vlerësimi i arsimimit dhe trajnimeve të lidhura me veprimtarinë në fushën e aftësive në lidhje me teknikat dhe metodikat që zbatohen në fushën e kryerjes së veprimtarisë së shërbimeve mbështetëse, si dhe referencat e punëdhënësve të mëparshëm (vlerësohet me 10 pikë);

  1. Testi me shkrim,

Kontrollin e njohurive të aplikantit në test me shkrim (vlerësohet me 60 pikë). Aplikanti që nuk arrin të marrë 40 pikë në testin me shkrim nuk i nënshtrohet vlerësimit në intervistën me gojë dhe ndërpret procesin e vlerësimit;

  1. Intervista me gojë,

Vlerësimi i njohurive dhe aftësive komunikuese, eksperiencë pune në lidhje me teknikat dhe metodikat që zbatohen në fushën e kryerjes së veprimtarisë së shërbimeve mbështetëse, si dhe motivimin personal (vlerësohet me 30 pikë).

Në qoftë se asnjë kandidat nuk merr 60% të pikëve, Komisioni i Vlerësimit vendos përfundimin e konkurrimit pa asnjë fitues të përzgjedhur.

Testi me shkrim dhe intervista do të zhvillohet më datë 19.07.2022, në ambientet e Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.