Hapet faza e aplikimeve për konkurrim, për ndjekjen e programit të studimit “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë i studimeve “Bachelor:, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit, në Akademinë e Sigurisë, për 150 kuota të lira, të ndara si vijon:
- 100 kuota për shtetasit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë;
- 50 kuota për punonjësit e rolit bazë, pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit.
I. PROCEDURAT QË NDIQEN PËR SHTETASIT QË KANË PËRFUNDUAR ARSIMIN E MESËM TË LARTË
- KRITERET DHE PROCEDURAT E APLIKIMIT E REGJISTRIMIT
- Kanë të drejtë të aplikojnë për të ndjekur studimet pranë Akademisë së Sigurisë, në programin “Siguria dhe Hetimi”, cikli i parë i studimeve “Bachelor”, me kohëzgjatje 3 vite akademike, shtetasit të cilët plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Të kenë shtetësi shqiptare;
- Të kenë zotësi të plotë për të vepruar;
- Të jenë në gjendje të mirë shëndetësore;
- Të kenë kryer arsimin parauniversitar brenda ose jashtë vendit, të njohur ose ekuivalentuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, në Republikën e Shqipërisë;
- Të zotërojnë gjuhën shqipe të shkruar dhe të folur;
- Të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për kryerjen e një krimi, apo për kryerjen e një kundërvajtjeje penale me dashje;
- Të kenë filluar procedurat për t’u pajisur me dëshmi të aftësisë për drejtimin e automjetit të tipit “B”;
- Të plotësojnë kriteret e besueshmërisë dhe integritetit;
- Të kenë notën mesatare të arsimit të mesëm të lartë, jo më pak se 6.5;
- Të jenë në moshën jo më shumë se 25 vjeç në ditën e fillimit të vitit akademik;
- Të kenë gjatësinë trupore jo më pak se 170 cm për meshkuj dhe jo më pak se 160 cm për femra;
- Të mos jenë të përjashtuar nga Policia e Shtetit, struktura të tjera të sigurisë kombëtare, apo të jetë larguar nga shërbimi civil.
- Shtetasit, të cilët përfundojnë arsimin e mesëm të lartë, i nënshtrohen procedurave sipas agjendës së mëposhtme:
Nr | Aktiviteti që do të kryhet | Personi/instituci oni përgjegjës | Periudha |
1. | Aplikim në portalin U-Albania nëpërmjet formularit online të aplikimit, duke zgjedhur programin “Siguria dhe Hetimi”. | Aplikantët | 30 korrik – 04 gusht 2024 |
2. | Nga portali U-Albania, shkarkohet lista e aplikantëve që kanë përzgjedhur programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”. | Akademia e Sigurisë | 5 gusht 2024 |
3. | Afishim në mjediset e Akademisë, si dhe në website- in e Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë, i listës së aplikantëve të cilët kanë aplikuar për programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”, duke përcaktuar fazat dhe datat e zhvillimit të testimeve. | Akademia e Sigurisë | 6 gusht 2024 |
4. | Regjistrimi i aplikantëve dhe dorëzimi i dokumentacionit fillestar. | Komisioni i Pranimit | 07 – 08 gusht 2024 |
Nr | Aktiviteti që do të kryhet | Personi/instituci oni përgjegjës | Periudha |
5. | Aplikantët i nënshtrohen procesit të: Verifikimit dhe shqyrtimit të dokumentacionit;Verifikimit të integritetit dhe besueshmërisë për tu bërë pjesë e Policisë së Shtetit;Kontrollit shëndetësor;Testit fizik;Testit psikologjik | Akademia e Sigurisë | 09 – 21 gusht 2024 |
6. | Zhvillimi i testit fizik | Komisioni i vlerësimit | 09 – 12 gusht |
7. | Zhvillimi i intervistës me gojë dhe testit psikologjik | Komisioni i Vlerësimit | 13 – 16 gusht 2024 |
8. | Zhvillimi i kontrollit mjekësor | Komisioni mjekësor | 17 – 21 gusht 2024 |
9. | Administrimi i vërtetimeve të besueshmërisë | Komisioni i Pranimit | Brenda datës 23 gusht 2024 |
10. | Hartimi i listës së rezultateve sipas rendit zbritës | Komisioni i Pranimit | 24 gusht 2024 |
11. | Afishimi dhe ngarkimi në portalin U-Albania i listës së rezultateve sipas rendit zbritës, duke përdorur si element identifikimi vetëm ID-në e tyre të maturës. | Komisioni i Pranimit | 25 gusht 2024 |
12. | Ankimimi | Aplikantët | 26 gusht 2024 |
13. | Shqyrtimi i ankesave të aplikantëve | Komisioni i Ankimimit | 27 – 28 gusht 2024 |
14. | Publikimi në portalin U-Albania, i listës së aplikantëve fitues në rend zbritës | Akademia e Sigurisë | 29 gusht 2024 |
15. | Regjistrimi dhe dorëzimi i dokumentacionit përfundimtar nga aplikantëve e shpallur fitues. | Aplikantët Komisioni i Pranimit | 30 gusht – 13 shtator 2024 |
- Aplikantët që duan të ndjekin studimet në Akademinë e Sigurisë, në programin e studimit të ciklit të parë ““Bachelor””, “Siguria dhe Hetimi”, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara në pikën 2, të këtij urdhri, të publikuara dhe në portalin U-Albania, duhet të aplikojnë në portalin U-Albania në periudhën 30 korrik – 04 gusht 2024, nëpërmjet formularit online të aplikimit, duke zgjedhur programin “Siguria dhe Hetimi”.
- Aplikantët gjatë procesit të aplikimit duhet të shkarkojnë nga faqja zyrtare e Policisë së Shtetit formularin e aplikimit, kërkesën model tip, formularin e vetëdeklarimit, si dhe skedën shëndetësore, bashkëlidhje e këtij urdhri, të cilat i dorëzojnë në momentin e regjistrimit në Akademinë e Sigurisë. Për rubrikat e kontrollit të përgjithshëm, skeda shëndetësore plotësohet pranë qendrave shëndetësore ku aplikanti ka vendbanimin dhe dorëzohet nga aplikanti pranë Komisionit, në momentin e zhvillimit të kontrollit shëndetësor.
- Komisioni i Pranimit më datën 05 gusht 2024 shkarkon nga portali U-Albania listën e aplikantëve që kanë përzgjedhur programin e studimit “Siguria dhe hetimi”.
- Komisioni i Pranimit, më datën 06 gusht 2024, afishon në mjediset e saj, si dhe në website-in e Policisë së Shtetit dhe Akademisë së Sigurisë, listën e aplikantëve të cilët kanë aplikuar për programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”, si dhe datën e zhvillimit të testimeve dhe kontrollit shëndetësor.
- Komisioni i Pranimit, brenda periudhës 07 – 08 gusht 2024, bën regjistrimin e aplikantëve si dhe shqyrton dokumentacion paraprak të mëposhtëm, të dorëzuar nga aplikantët, për të verifikuar nëse ata plotësojnë kriteret bazë, për pranim në Akademinë e Sigurisë, si dhe kanë plotësuar formularët në mënyrën e duhur.
- Kërkesën model tip për regjistrim;
- Formularin e aplikimit për punësim në strukturat e policisë;
- Formularin e vetëdeklarimit;
- Fotokopje të kartës së identitetit;
- Certifikatë familjare;
- Nëse gjatë shqyrtimit të dokumentacionit rezulton se aplikanti nuk plotëson kriteret e përcaktuara, ai s’kualifikohet nga procesi i konkurrimit. Aplikanti njoftohet nëpërmjet email-it të evidentuar nga ana e tij në formularin e aplikimit në lidhje me arsyet e skualifikimit.
- Komisioni i Pranimit harton listat e aplikantëve që plotësojnë kriteret, të ndara në nivel qarku dhe i dërgon ato pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
- Brenda datës 09 gusht 2024, Drejtoria e Burimeve Njerëzore dërgon pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin, listën e aplikantëve. Drejtoritë Vendore të Policisë hartojnë vërtetimin e besueshmërisë, si dhe nëpërmjet Sektorëve të Policisë Shkencore, marrin dhe administrojnë për krahasim gjurmët daktiloskopike të aplikantëve.
- Verifikimi i besueshmërisë së aplikantëve është një proces i verifikimit të të dhënave të vetëdeklaruara nga aplikantët, në raport me ato të regjistrave fizikë dhe elektronikë të administruara nga Policia e Shtetit, si dhe Institucionet e tjera shtetërore shqiptare apo të huaja.
- Verifikimi i besueshmërisë së aplikantëve bëhet sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në Procedurën Standarde “Rastet, modalitetet dhe strukturat që hartojnë vërtetimin e besueshmërisë”, të miratuara me urdhër nr. 17 datë 10.01.2024, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, jo më vonë se data 23 gusht 2024.
- Sektorët e Policisë Shkencore pranë DVP-ve, pas kryerjes së procedurave për marrjen e gjurmëve daktiloskopike të aplikantëve, i dërgojnë ato për krahasim pranë Institutit të Policisë Shkencore. Marrja e gjurmëve daktiloskopike bëhet sipas procedurave standarde, të miratuara nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
- Aplikantët, që pas krahasimit të gjurmëve daktiloskopike rezultojnë me probleme në sistemin “Afis/Apis Papilon 9” i nënshtrohen procedurave të mëtejshme të verifikimit dhe kontrollit nga strukturat e hetimit të krimeve ku janë evidentuar gjurmët.
- Drejtoritë Vendore të Policisë dhe Instituti i Policisë Shkencore, jo më vonë se data 23.08.2024 dërgojnë vërtetimet e besueshmërisë si dhe rezultatet e krahasimit të gjurmëve daktiloskopike nominalisht për secilin aplikant, pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, e cila i dërgon ato pranë Komisionit të Pranimit në Akademinë e Sigurisë.
I.II. PROCESI I VLERËSIMIT, KONTROLLIT DHE TESTIMIT
- Aplikantët i nënshtrohet procesit të vlerësimit, testimit dhe kontrollit, i cili përfshin:
Nr | Lloji i vlerësimit/kontrollit | Pesha specifike | Periudha |
1 | Vlerësimin sipas notës mesatare të shkollës së mesme të lartë | 50 % të vlerësimit të përgjithshëm; (5 pikë për çdo notë. Psh. Nota mesatare 8 x 5 pikë = 40 pike) | 07 – 10 gusht 2024 |
2 | Testim fizik | 30% të vlerësimit të përgjithshëm | 09 – 12 gusht 2024 |
3 | Intervista me gojë | 20% të vlerësimit të përgjithshëm | 13 – 16 gusht 2024 |
4 | Testimit psikologjik | Kalues/jo kalues | 13 – 16 gusht 2024 |
5 | Kontrolli shëndetësor | I afte/jo i aftë | 17 – 21 gusht 2024 |
- Testimi fizik, intervista me gojë, testi psikologjik dhe kontrolli shëndetësor kryhen sipas rregullave dhe procedurave të përcaktuara në Vendimin nr. 100, datë 08.05.2024, të Senatit Akademik, “Për miratimin e kuotave dhe kritereve të pranimit të studentëve nga shkollat e mesme, në programin e ciklit të parë të studimeve “Bachelor” në programin “Siguria dhe Hetimi”, në Akademinë e Sigurisë”, për vitin akademik 2024 – 2025.
- Aplikantët njihen me rezultatet e testimit kundrejt nënshkrimit brenda ditës kur ata zhvillojnë testimin.
I.III NXJERRJA DHE PUBLIKIMI I REZULTATEVE
- Komisioni i pranimit, më datën 24 gusht 2024 harton listën e rezultateve të aplikantëve, shqyrton vërtetimet e besueshmërisë dhe informacionin e ardhur nga Instituti i Policisë Shkencore për secilin aplikant dhe merr vendim për aplikantët qe kualifikohen dhe shpallen fitues, si dhe aplikantët të cilët nuk janë fitues.
- Shpallen fitues, vetëm aplikantët e renditur në liste sipas rezultateve në rend zbritës, brenda 100 kuotave të shpallura për konkurrim, të cilët plotësojnë kriteret ligjore të përcaktuara.
- Komisioni i Pranimit më datën 25 gusht 2024, afishon dhe publikon listat e renditjes së aplikantëve, duke përdorur si element identifikimi vetëm ID-në e tyre të maturës, në mënyrë që të respektohen përcaktimet e kuadrit ligjor për mbrojtjen e të dhënave personale. Akademia e Sigurisë ngarkon një kopje elektronike të këtyre listave në portalin U-Albania.
I.IV. KOMISIONI I PRANIMIT DHE VLERËSIMIT
- Me qëllim mbarëvajtjen e procesit të pranimit, në programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit ngrihen dhe përcaktohen Komisioni i Pranimit, Komisionet e Vlerësimit dhe sekretaria teknike.
- Komisioni i Pranimit ka për detyrë:
- Të bëjë regjistrimin e aplikantëve;
- Të vlerësojë e shqyrtojë dokumentacion si dhe plotësimin e kritereve të aplikantëve;
- Të bëjë vlerësimin e notës mesatare sipas peshës specifike në raport me rezultatin e përgjithshëm;
- Të administrojë rezultatet e Komisioneve të Vlerësimit të testit fizik, intervistës me gojë, testit psikologjik dhe kontrollit mjekësor;
- Të vlerësojë plotësimin e kriterit të besueshmërisë dhe integritetit të aplikantëve;
- Të përllogarisë dhe nxjerrë rezultatet përfundimtare të aplikantëve;
- Të marrë vendim për aplikantët fitues dhe jo fitues si dhe të bëjë shpalljen e rezultateve përfundimtare;
- Komisionet e Vlerësimit bëjnë vlerësimin e aplikantëve në testin fizik, intervistën me gojë, testin psikologjik dhe kontrollin mjekësor.
I.V. ANKIMIMI:
- Çdo aplikant ka të drejtën e ankimimit mbi rezultatet e arritura. Ankimimi bëhet më datën 26 gusht 2024, pranë Komisionit të Ankimimit.
- Komisioni i Ankimimit në periudhën 27 – 28 Gusht 2024 bën shqyrtimin e ankesave si dhe njofton aplikantët mbi rezultatet e ankimimit.
- Vendimet e Komisionit të Ankimimit bëhen pjesë e rezultateve përfundimtare të aplikantëve nga Komisioni i Pranimit.
- Komisioni i Ankimimit ngrihet me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
I.VI SHPALLJA E REZULTATEVE PËRFUNDIMTARE DHE REGJISTRIMI I APLIKANTËVE
- Pas përfundimit të procesit të ankimimit, Komisioni i Pranimit më datën 29 gusht 2024 bën publikimin në portalin U-Albania, të listës së aplikantëve fitues në rend zbritës.
- Më datën 30 gusht – 13 shtator 2024, Komisioni i Pranimit bën regjistrimin e aplikantëve fitues. Aplikantët fitues në momentin e regjistrimit dorëzojnë dokumentacionin shtesë, që përfshin:
- Certifikatë të gjendjes gjyqësore;
- Diplomë të shoqëruar me listë notash që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm (e noterizuar);
- Vërtetim që është i regjistruar për marrjen e dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”;
ç) Vërtetim nga gjykata që nuk është në gjykim për vepër penale;
- Vërtetim nga prokuroria që nuk është në ndjekje penale;
dh) Vërtetim nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar;
- Nëse pas përfundimit të raundit të parë, nuk plotësohen kuotat e lira për konkurrim, procesi i aplikimit dhe regjistrimit rifillon sipas afateve dhe procedurave të përcaktuara në urdhrin e përbashkët të Qendrës së Shërbimeve Arsimore dhe Qendrës Ndërinstitucionale të Rrjetit Akademik Shqiptar Nr. 112, datë 05.07.2024 “Për miratimin e kalendarit për procedurat e aplikimit dhe të regjistrimit në institucionet e arsimit të larte, viti akademik 2024 – 2025”.
- Shpallen fitues vetëm aplikantët e renditur në listë sipas rezultateve në rend zbritës, brenda 100 kuotave të shpallura për konkurrim.
- Nëse në përfundim të të gjitha raundeve, nuk plotësohet numri i kuotave të shpallura për konkurrim (100 kuota), kuotat plotësohen me aplikantë nga punonjësit e rolit bazë, pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit, të përcaktuar në pikën II të këtij urdhri.
II. PROCEDURAT QË NDIQEN PËR PUNONJËSIT E ROLIT BAZË, PJESË E STRUKTURAVE TË POLICISË SË SHTETIT.
- Kanë të drejtë të aplikojnë për të ndjekur studimet pranë Akademisë së Sigurisë në programin “Siguria dhe Hetimi”, në ciklin e parë të studimeve “Bachelor”, me kohëzgjatje 3 vite akademike, punonjësit e policisë së rolit bazë, të cilët plotësojnë kriteret e mëposhtme:
- Të kenë notën mesatare të shkollës së mesme dhe provimeve të maturës jo më pak se 6.5;
Nota mesatare duhet të jetë e përllogaritur nga institucionet arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar. Për aplikantët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, njëvlershmëria e dokumenteve dhe përllogaritja e notës mesatare të bëhet nga institucionet arsimore vendore përgjegjëse për arsimin parauniversitar.
Nota mesatare për pranimin në Institucionet e Arsimit të Lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve, si më poshtë vijon:
- mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm;
- mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.
- Të jetë në moshën jo më shumë se 25 vjeç në ditën e fillimit të vitit akademik;
- Të ketë përfunduar me sukses periudhën e provës;
- Të ketë vlerësim të aftësive individuale të punës jo më ulët se 70% të vlerësimit të përgjithshëm. Vlerësimi i aftësive individuale do të kryhet si vlerësim i veçantë për efekt konkurrimi;
- Të jetë parashkruar masa disiplinore për shkelje të rëndë, sipas afatit të përcaktuar në nenin
96 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar;
- Të mos ketë filluar ndaj tij procedimi penal;
- Të mos ketë filluar ndaj tij procedimi disiplinor për shkelje të rëndë;
- Të mos i jetë refuzuar, hequr apo ndërprerë pajisja me Certifikatën e Sigurimit të Personelit (CSP).
- Faza e aplikimeve të fillojë më datë 01.08.2024 dhe të përfundojë më datë 31.08.2024.
- Çdo punonjës policie që plotëson kriteret e përcaktuar në piken II/1 të këtij urdhri dhe kërkon të konkurrojë për fillimin e studimeve në ciklin e parë “Bachelor” në Akademinë e Sigurisë, në vitin akademik 2024 – 2025, jo më vonë se data 31.08.2024, duhet të dorëzojë formularin e aplikimit, si dhe formularin e vetëdeklarimit në strukturat e burimeve njerëzore ku është në detyrë.
- Strukturat e burimeve njerëzore janë përgjegjëse për verifikimin e aplikantëve nëse ata plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë urdhër dhe brenda datës 03.09.2024, të dërgojnë në Komisionit të Gradimit, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dokumentacionin e mëposhtëm:
- Formularët e aplikimit;
- Formularët e vetëdeklarimit;
b) Vlerësimin e rezultateve individuale të punës;
- Aplikantët që plotësojnë kriteret e përcaktuara në këtë urdhër, i nënshtrohen fazave të mëposhtme të vlerësimit dhe konkurrimit pranë ambienteve të Akademisë së Sigurisë.
- vlerësim administrativ deri 10 pikë;
- vlerësim i performancës deri 30 pikë,
- test me shkrim deri 40 pikë; (Testi me shkrim përfshin kontrollin e njohurive profesionale të punonjësit, mbi kurrikulën e Shkollës Bazë “Patrullë e Përgjithshme”, rregullat dhe procedurat që normojnë punën e Policisë së Shtetit);
- intervistë me gojë deri 20 pikë, (Intervista përfshin vlerësimin e aftësive komunikuese, imazhit profesional, punës në ekip, zgjidhjes së problemit, integritetit dhe njohjes së Rregullores së Policisë).
- Komisioni i Gradimit, brenda datës 10.09.2024, bën shqyrtimin e dokumentacionit si dhe kryen vlerësimin administrativ të aplikantëve.
- Aplikantëve që nuk plotësojnë kriteret për konkurrim, u kthehet përgjigje me shkrim për arsyet e skualifikimit nga Komisioni i Gradimit.
- Komisioni i gradimit harton listën e aplikantëve që plotësojnë kriteret ligjore, njofton aplikantët mbi rezultatet e vlerësimit administrativ, si dhe i publikon ato në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit.
- Komisioni i Gradimit për vlerësimin dhe ndjekjen e procesit të konkurrimit të zbatojë dispozitat e përcaktuara në Rregulloren “Mbi përbërjen dhe funksionimin e komisioneve të gradimit dhe ankimit, rregullave dhe procedurave që ndiqen në procesin e vlerësimit të aplikantëve dhe zhvillimin e konkurrimit për gradë në Policinë e Shtetit”, miratuar me urdhër nr. 499, datë 01.06.2021, të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i ndryshuar,
- Aplikantët njihen me rezultatet e testimit me shkrim dhe intervistës brenda datës kur ata zhvillojnë testimin. Nëse aplikanti është vlerësuar me më pak se 70 % të pikëve, skualifikohet. Kur aplikantët që janë vlerësuar kanë pikë të barabarta, renditja e tyre bëhet në rend zbritës sipas rezultatit të vlerësimit me shkrim.
- Shpallen fitues vetëm aplikantët e renditur në listë sipas rezultateve në rend zbritës, brenda kuotave të lira (50 kuota) të shpallura për konkurrim, të cilët janë vlerësuar me të paktën 70 % të pikëve në vlerësimin e përgjithshëm.
- Nëse numri i kuotave (100 kuota), nuk plotësohet nga shtetasit të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë të përcaktuar në piken I të këtij urdhri, kuotat plotësohen me aplikantë nga punonjësit e rolit bazë, të cilët janë vlerësuar me të paktën 70 % të pikëve në vlerësimin e përgjithshëm.
- Në përfundim të procesit të vlerësimit dhe testimit, Komisioni i Gradimit harton listën e rezultateve sipas rendit zbritës.
- Çdo aplikant ka të drejtën e ankimimit gjatë gjithë procesit të konkurrimit brenda 2 ditësh nga marrja dijeni për rezultatin e vlerësimit/testimit pranë Komisionit të Ankimimit, i përbërë nga:
- Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Kryetar
- Drejtori i Drejtorisë së Burimeve Njerëzore Anëtar
- Drejtori i Drejtorisë së Standardeve Profesionale Anëtar
- Komisioni i Ankimimit shqyrton ankesat e administruara nga sekretaria teknike dhe merr vendim brenda 5 (pesë) ditëve pune nga data e përfundimit të afatit të ankimimit. Ankuesit i kthehet përgjigje zyrtare brenda 3 (tre) ditëve pune.
- Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun dhe Median të bëjë publikimin në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit e aksesueshme nga çdo shtetas, si dhe në median e shkruar e atë vizive të këtij urdhri, formularin e aplikimit, formularin e vetëdeklarimit, kërkesën model tip, skedën shëndetësore, si dhe video të testimit fizik që do t’i nënshtrohen aplikantët.
- Drejtoria e Marrëdhënieve me Publikun në bashkëpunim me Akademinë e Sigurisë, Drejtorinë e Burimeve Njerëzore, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë të zhvillojnë fushata sensibilizuese dhe promovuese pranë njësive administrative në nivel qarku dhe jo vetëm, me qëllim informimin e komunitetit për procesin e pranimit në Policinë e Shtetit.
- Departamenti për Shërbimet Mbështetëse të marrë masa për të siguruar infrastrukturën e nevojshme, për akomodimin e 150 aplikantëve të shpallur fitues në procesin e konkurrimit.
- Drejtoria e Burimeve Njerëzore përgatit drafturdhrin për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, për vazhdimin e studimeve në programin e studimit “Siguria dhe Hetimi”, në Akademinë e Sigurisë.
- Procesi i pranimit në Policinë e Shtetit menaxhohet dhe koordinohet nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Akademia e Sigurisë.
Shkarkoni dokumentet e nevojshme për aplikim: