Gostimë, Cërrik/I vuri zjarrin një sipërfaqeje toke të mbjellë me ullinj, në pronësi të 2 shtetasve të tjerë, vihet në pranga 61-vjeçari

Gostimë, Cërrik/I vuri zjarrin një sipërfaqeje toke të mbjellë me ullinj, në pronësi të 2 shtetasve të tjerë, vihet në pranga 61-vjeçari.

Në vijim të punës hetimore për identifikimin dhe kapjen e autorëve të zjarrvënieve, si dhe si rezultat i informacioneve dhe provave të siguruara nga Komisariati i Policisë Cërrik, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit V. P., 61 vjeç, banues në fshatin Gostimë. Ditën e djeshme, dyshohet se ky shtetas ka ndezur zjarr në tokën e tij, i cili i ka dalë jashtë kontrolli dhe si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me 48 pemë ulliri, në pronësi të 2 shtetasve të tjerë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Elbasanit, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan apelon për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullotash që në asnjë rast të mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112, çdo rast të zjarrvënies dhe të paligjshmërisë në tërësi. Reagimi do të jetë i menjëhershëm dhe konform ligjit.