Gjirokastër – Zhvillohet ceremonia për emërtimin e 4 rrugëve, me emrat e Dëshmorëve Sali Shehu, Altin Dauti, Zaçe Biraçaj dhe Nuri Kërçanaj

Bashkia Gjirokastër, në nderim të kujtimit të 4 Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, emërton 4 rrugë, me emrat e tyre, Sali Shehu, Altin Dauti, Zaçe Biraçaj dhe Nuri Kërçanaj.
Në ceremoninë e zhvilluar në Bashkinë e Gjirokastrës mori pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano.
Kryetari i Bashkisë Flamur Golemi ka vlerësuar nismën e ndërmarrë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, për të nderuar, siç e meritojnë, Dëshmorët e Policisë, duke i vendosur emrat e tyre përkrah emrave të Dëshmorëve të tjerë dhe njerëzve të shquar që kanë kontribuuar për vendin.
Nano: “Sot është një ditë e veçantë. Unë e vlerësova të vij edhe vetë, pasi që në fillim të marrjes së detyrës nga ana ime, një nga pikat më të rëndësishme ka qenë vlerësimi dhe mirënjohja, po patjetër dhënia e rëndësisë të gjithë të rënëve të krye të detyrës, Dëshmorëve të Policisë. Kjo nismë nuk mund të bëhej realitet pa ndihmën e pushtetit vendor. Kështu që unë gjej rastin edhe njëherë t’ju falënderoj z. kryetar i Bashkisë. Nisma të tilla ne duam që t’i çojmë përpara dhe të kemi dhe të tjera në vazhdim, ashtu siç kemi menduar dhe për të gjithë punonjësit e Policisë dhe familjarët e të rënëve në krye të detyrës dhe për shkak të detyrës, me marrëveshjen që kemi bërë me laboratorin mjekësor apo me atë të optikave, për një trajtim ndryshe dhe më preferencial, por do të vazhdojmë me nisma të tilla, të cilat do të jenë gjithmonë në të mirë të punonjësve të Policisë, për t’i dhënë atyre dhe uniformës që mbajnë vlerësimin e duhur dhe për të motivuar brezat e rinj që duan të bëhen pjesë e Policisë së Shtetit.
Sot, 4 rrugë në Gjirokastër do të emërtohen me emrat e Dëshmorëve të Policisë së Shtetit që kanë mbrojtur jetën me jetën e tyre, kështu që edhe një herë u shpreh mirënjohjen time institucioneve të pushtetit vendor dhe dua të siguroj familjarët e të gjithë Dëshmorëve të Policisë se vazhdimisht do të kenë përkrahjen tonë. Ju falënderoj për të gjithë mbështetjen që i keni dhënë Policisë së Shtetit, jo vetëm në këtë nismë, që është sa simbolike dhe domethënëse, por edhe në të gjitha ato projekte që ne dëshirojmë t’i realizojmë bashkërisht në të mirë të sigurisë së qytetarëve të vendit tonë. Faleminderit edhe një herë!”
Tashmë segmenti rrugor në lagjen “18 shtatori” të qytetit të Gjirokastrës do të mbajë emrin “Altin Dauti”, rruga kryesore në fshatin Picar, në Njësinë Administrative Picar do të mbajë emrin “Zaçe Biraçaj”, segmenti që përshkon zonën urbane në Virua do të mbajë emrin “Sali Shehu”, ndërsa rruga kryesore që përshkon fshatin Asim Zeneli, Njësia Administrative Antigone, do të mbajë emrin “Nuri Kërçanaj”.
Së bashku me emërtimin e 4 rrugëve, me emrat e katër efektivëve të Policisë, u akorduan edhe Certifikata Mirënjohjeje, me të njëjtin motivacion “Për kontributin dhe sakrificën sublime si efektiv i Policisë së Shtetit, në shërbim të komunitetit. Ai do të ngelet përjetësisht shembull frymëzimi për brezat e rinj”.