Gjirokastër – Vihen në pranga 4 shtetas për vepra të ndryshme penale

Goditi me sende të forta një shtetas (vëllai i bashkëshortes së tij), duke i shkaktuar dëmtime, vihet në pranga 36-vjeçari.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 36 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, pasi më datë 20.08.2022, në lagjen “11 Janari”, Gjirokastër, ky shtetas është konfliktuar me shtetasin Gj. Ç. (vëllai i bashkëshortes së tij) dhe e ka goditur atë me sende të forta, duke i shkaktuar dëmtime në trup.

Shtetasi Gj. Ç., ndodhet në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

—-

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin K. Ll., 29 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprat penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjetën dhe iu sekuestruan disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.

Në vijim, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit K. Ll., u gjetën dhe u sekuestruan 26 kapsolla detonatore.
—-

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditë e djeshme, përmes të cilit informuam se në Spitalin Rajonal Gjirokastër shkoi për të marrë ndihmën mjekësore shtetasja F. V., pasi ishte rrëzuar nga automjeti tip “Mercedes Benz” (kamionçinë), ju bëjmë me dije se:

Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban dhe Urban arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit (kamionçinë), shtetasin Q. A., 56 vjeç, banues në Gjirokastër, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

—-

Gjithashtu, po nga këto struktura u arrestua në flagrancë shtetasi B. P., 23 vjeç, banues në fshatin Valare, Gjirokastër, pasi në vendin e quajtur “Ura e Lumit”, është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar pa leje drejtimi, automjetin tip “Opel”.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.