Gjirokastër/Procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin Th. M., 66 vjeç, banues në fshatin Labovë e Madhe, pasi dyshohet se ka ndezur zjarr në vendin e quajtur “Rrapi i Cingaros”, dhe si pasojë e përhapjes së flakëve, është djegur një sipërfaqe kullote.
Po nga këta specialistë u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin R. M., 48 vjeç, banues në Gjirokastër, pasi dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me grusht, një 69-vjeçar.
Specialistët e Trafikut Interurban dhe Urban referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, që drejtonte i papajisur me leje drejtimi, një automjet pa targa. Gjatë lëvizjes, 17-vjeçari ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit që ka dalë nga rruga, dhe si pasojë janë dëmtuar lehtë drejtuesi i këtij automjeti dhe pasagjeri në të, një 16-vjeçar. Të dy të dëmtuarit, pasi kanë marrë asistencën mjekësore, janë larguar në banesa.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.