Goditen dy raste të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.
Procedohen penalisht 2 shtetas.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, shërbimet e Komisariatit Gjirokastër proceduan penalisht për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”, shtetasin E. M., 33 vjeç, banues në Libohovë, pasi u konstatua se në ambientet e lokalit të tij ushtronte aktivitetin e palejuar të basteve sportive nëpërmjet tabletit, si dhe ishte i papajisur me kasë fiskale.
Gjithashtu, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet proceduan penalisht për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, shtetasin D. I., 43 vjeç, banues në Përmet, pasi në lokalin e tij u konstatuan dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një server dhe aksesor plotësues, me anë të të cilëve dyshohet se kryente aktivitetin e palejuar të lojërave të fatit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.