Gjirokastër – Kapen në Gjirokastër dhe Kakavijë 2 shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe kombëtar

Falë informacioneve të siguruara nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Policisë së Kosovës, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimi drejt Kosovës, i shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar:

M. Ç., 38 vjeç, banues në fshatin Krahës, Memaliaj.

Gjykata e Kosovës i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, parashikuar nga Kodi Penal i Republikës së Kosovës.

Kakavijë

Si rezultat i intensifikimit të kontrolleve të shtuara dhe i shkëmbimit të informacioneve me Komisariatin e Policisë Sarandë, Policia Kufitare kapi në hyrje të RSH-së, shtetasin e shpallur në kërkim A. O., 52 vjeç, banues në Delvinë.

Gjykata e Sarandës e ka dënuar këtë shtetas me 4 vjet e 3 muaj e 24 ditë burgim, për veprat penale “Falsifikimi i monedhave e kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja”.

Interpol Tirana po bashkëpunon me autoritetet kosovare për ekstradimin e shtetasit të kapur në Gjirokastër, ndërkohë shtetasi i kapur në Kakavijë ju dorëzua Komisariatit të Policisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.