DVP Gjirokastër/Finalizohet pas disa muajsh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Porosia”. Sekuestrohen 5.25 kilogramë kanabis.
U kap në flagrancë duke transportuar lëndën narkotike, me automjet, vihet në pranga 47-vjeçari.
Vihen në pranga edhe 2 shtetas të tjerë të cilët kontrollonin rrugën, me një automjet tjetër, për të sinjalizuar 47-vjeçarin, për prezencën e shërbimeve të Policisë.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme kundër veprimtarive kriminale të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, si rezultat i një procedimi penal të ndjekur me metoda proaktive, për disa muaj, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, të DVP Gjirokastër, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Porosia”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
- Y. Q., 47 vjeç, banues në fshatin Stjar, Delvinë;
- M. L., 32 vjeç, banues në fshatin Çepun, Gjirokastër;
- A. L., 38 vjeç, banues në fshatin Zhulat, Gjirokastër.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në vendin e quajtur “Kthesa e fshatit Kodër”, Gjirokastër, automjetin tip “Toyota Yaris”, me drejtues shtetasin Y. Q. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur në bagazh, 5.25 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, që dyshohet se po transportohej për t’u shitur.
Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndaluar automjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin M. L. dhe pasagjer shtetasin A. L., të cilët kontrollonin rrugën, me qëllim për të sinjalizuar shtetasin Y. Q., për prezencën e shërbimeve të Policisë, në rrugë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, 2 automjetet dhe 5 celularë.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.