Kapshticë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Maskimi”, sekuestrohen 9.3 kilogramë kanabis

Kapshticë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Maskimi”, për goditjen e një tjetër rasti të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.

Operacioni u zhvillua nga shërbimet e Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me ata të DVP Korçë dhe autoritetet doganore.

Sekuestrohen 9.3 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.

Vihet në pranga 49-vjeçari, poseduesi i lëndës narkotike, i cili dyshohet se do trafikonte këtë sasi me automjetin e tij, në drejtim të Greqisë.

Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë dhe autoritetet doganore në vijim të punës për goditjen e krimeve ndërkufitare, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Maskimi”.

Si rezultat i këtij operacioni, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:

-R. T., 49 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë.

Bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në dalje të Republikës së Shqipërisë, Policia Kufitare ka kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin R. T. Gjatë kontrollit të detajuar, në pjesën e bagazhit, tek bombola e gazit u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, me peshë totale 9.3 kilogramë, sasi të cilën 49-vjeçari synonte t’a trafikonte në drejtim të Greqisë.

Në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.