Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër.
Sekuestrohen doza me lëndë narkotike gati për shpërndarje.
Vihen në pranga 2 shtetas.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Gjirokastër dhe Seksionin Operacional në DVP Gjirokastër, si rezultat i një pune policore të pandërprerë disamujore, finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “NO MORE”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan në flagrancë shtetasit E. C., 30 vjeç, banues në Gjirokastër dhe H. H., 36 vjeç, banues në Gjirokastër.
Në vendin e quajtur “Ura e lumit”, gjatë kontrollit fizik shtetasit E. C. iu gjetën disa doza me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa. Nga verifikimet e kryera rezultoi se ky shtetas drejtonte automjetin, pa leje drejtimi.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit E. C., u konstatua shtetasi H. H., të cilit iu gjetën doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë.
Më tej, kontrolli nga shërbimet e Policisë ka vijuar në biznesin (dyqan tabacco) në pronësi të shtetasit H. H., ku u gjetën 60 doza me lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa gati për shpërndarje, 260 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, një peshore, 22 paketa cigaresh pa pullë fiskale, 6 qese me duhan të grirë pa pullë fiskale dhe 11 pako me duhan të grirë pa pullë fiskale, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 5 aparate celulare.
Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Përshtatja e lokalit për përdorim droge” dhe “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt”.