FJALA E RASTIT E DREJTORIT TË PËRGJITHSHËM TË POLICISË SË SHTETIT ARDI VELIU GJATË NËNSHKRIMIT TË MARRËVESHJES SË PUNËS NDËRMJET MINISTRISË SË BRENDSHME DHE AGJENSISË SË ROJES BREGDETARE
DHE KUFIRIT EVROPIAN (FRONTEX)
I nderuar Zoti Ministër Çuçi,
Shkëlqesia e Tij Zoti Ambasador Soreca,
I nderuar Zoti Leggeri,
I nderuar Zoti Onidi,
E nderuar Zonja Calavera,
Kam kënaqësinë të komunikoj sot me ju, me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Operacional ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Rojes Bregdetare dhe Kufirit Evropian (FRONTEX).
Pas një dekade bashkëpunimi të suksesshëm ndërmjet Policisë së Shtetit me FRONTEX, Shqipëria u bë vendi i parë i Ballkanit Perëndimor që nënshkroi me Bashkimin Evropian në vitin 2019, Marrëveshjen e Statusit për operacionet e FRONTEX-it në vendin tonë.
Në zbatim të kësaj Marrëveshjeje, më datë 21 Maj 2019, filloi Operacioni i Përbashkët JO FOA Western Balkan në Shqipëri (Joint Operation Flexible Operation Activities Western Balkan), i pari i këtij lloji i kësaj Agjencie në një vend, i cili nuk është anëtar i Bashkimit Evropian. Kjo Marrëveshje përfshin të gjithë spektrin e mandatit dhe në zbatim të saj janë përfshirë 75 oficerë policie nga 13 shteteanëtare të BE-së.
Që prej fillimit të zbatimit të kësaj Marrëveshjeje e deri sot, si nga ana jonë, por edhe nga ana e FRONTEX-it, bashkëpunimi ndërmjet nesh mund të konsiderohet padyshim si histori suksesi.
Impakti i këtij bashkëpunimi, në përmirësimin e sigurisë kufitare, është i padiskutueshëm. Kjo është bërë e mundur nëpërmjet shkëmbimit rregullisht të informacioneve e produkteve analitike, angazhimit të përbashkët në monitorimin dhe vlerësimin e situatës, mbështetjes në rrafshin rajonal për analizën e riskut, dhënies së mbështetjes për ndërtimin e forcimin e kapaciteteve, qofshin këto edhe logjistike, si dhe për shkëmbimin e eksperiencave.
Pasojë e këtij bashkëpunimi është rritja e efektivitetit të shërbimeve tona. Ky efektivitet evidentohet në kapjen e imigrantëve të parregullt në pikat e hyrjes; përmirësimin e treguesve në drejtim të identifikimit të dokumenteve të falsifikuara dhe të mjeteve të transportit me numra shasie të manipuluara; eficiencën më të lartë të veprimeve operacionale me FRONTEX-in dhe vendet e rajonit, në forcimin dhe përmirësimin e kapaciteteve të rojës tonë kufitare nëpërmjet vendosjes së praktikave më të mira, etj.
Bazuar në këto suksese dhe arritje, si dhe duke vlerësuar përvojën e deritanishme, kemi vendosur bashkërisht për nënshkrimin e Marrëveshjes së re të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Brendshme dhe FRONTEX-it.
Ne kemi bindjen se nënshkrimi dhe zbatimi i kësaj Marrëveshje do të thellojë, zgjerojë dhe përmirësojë më tej bashkëpunimin me FRONTEX-in nëpërmjet mbrojtjes më mirë të të drejtave themelore dhe të dhënave personale; shkëmbimit të oficerëve ndërlidhës; forcimit të bashkëpunimit operacional dhe përdorimit në funksion të tyre të porteve dhe aeroporteve, jo vetëm për mbikëqyrjen e kufirit, por edhe për kërkimin e shpëtimin e mjeteve detare dhe ajrore, etj.
Gjithashtu, ne besojmë se bashkëpunimi do të përfshijë asistencë teknike e mbështetje financiare nga vendet BE-së për përmirësimin e kapaciteteve të menaxhimit të kufirit për kthimin e shtetasve shqiptarë, të cilët qëndrojnë në mënyrë të paligjshme në vendet e BE-së, etj.
Policia e Shtetit vlerëson se edhe kjo Marrëveshje, ashtu si deri tani, do të zbatohet me sukses dhe do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme për rritjen e sigurisë së kufijve tanë.
Duke përfunduar, dëshiroj të shpreh bindjen se ne do të rrisim më tej rezultatet tona, duke u bërë në këtë mënyrë një partnerë i denjë me agjencitë ligj zbatuesetë Bashkimit Evropian.
Faleminderit!