Finalizohet operacioni “FRIDA-REFOX”

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku gjatë konferencës së përbashkët nga Policia e Shtetit, SPAK, Policia dhe autoritetet gjyqësore spanjolle, për goditjen e veprimtarive kriminale në subjektet call center, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “FRIDA-REFOX”, të zhvilluar nga skuadrat e përbashkëta hetimore, të koordinuar nga EuroJust, me seli në Hagë, Holandë.

“I nderuar drejtuesi i SPAK,

Të nderuar kolegë,

Dua t’ua lë kolegëve të prezantojnë të dhënat teknike të operacionit shumë të suksesshëm për të cilin jemi mbledhur këtu dhe dua të shfrytëzoj rastin për të ndarë me ju, disa opinione dhe synime që i kemi vënë vetes për të ecur përpara.

Pavarësisht se për mua, sot është hera e parë që ne dalim bashkërisht para publikut nga ky ambient, për të prezantuar rezultatet e një pune shumë të gjatë, këmbëngulëse dhe profesionale, të përmbyllur suksesshëm, kjo nuk është hera e parë që unë takohem me drejtuesin dhe prokurorët e SPAK.

Nga dita e parë që kam marrë përgjegjësinë të drejtoj Policinë e Shtetit, kam vendosur si objektiv parësor, krijimin e një klime sa më optimale, për të sinkronizuar aktivitetin tonë administrativ, investigativ, inteligjent dhe hetimor, me strukturat ligjzbatuese, prokuroritë në përgjithësi dhe në veçanti me SPAK, si strukturë e posaçme kundër formave të organizuara të krimit.

Gjej rastin për të falënderuar z. Kraja, tek i cili kam gjetur të njëjtën filozofi bashkëpunimi dhe i cili na ka krijuara të gjitha facilitetet e duhura për të arritur rezultate konkrete, sikurse është edhe ky operacion i përbashkët, për të cilin jemi mbledhur sot.

Jetojmë në kushtet e globalizimit, fenomen i cili, përpos aspekteve shumë progresive për njerëzimin, ka krijuar edhe terren të favorshëm që krimi, kryesisht ai me baza inteligjente, por jo vetëm, të gjejë shtrirje kapilare në mbarë botën dhe ne, pra Policia e Shtetit, jemi totalisht në sfidë për ta çinkurajuar këtë fenomen.

Nisur nga sa më sipër, bashkë me bashkëpunëtorët e mi në polici, por edhe në konsultë me agjenci të tjera ligjzbatuese dhe me organe proceduese, jemi duke punuar që të rialokojmë burimet tona njerëzore por dhe ato teknike e logjistike, si dhe t’i përshtatim strukturat në këtë adresim të ri.

Më konkretisht:

-I kemi vënë vetes objektiv që fillimi i vitit që vjen të na gjejë me një strukturë të dedikuar qëndrore për mbështetjen e veprimeve hetimore që kërkohen nga agjenci partnere apo gjyqësore, në kuadër të marrëdhënieve juridiksionale me jashtë, në të cilën organet tona proceduese do të marrin përsipër të ofrojnë ndihmë të ndërsjellë juridike. Në këtë strukturë parashikojmë të përzgjedhim dhe të rekrutojmë punonjës që të kenë të gjithë profilin e nevojshëm profesional dhe integritetin e duhur për të kryer detyrën.

-Po ashtu, situatat që kemi kaluar së fundi me sulmet kibernetike na kanë imponuar që krimin kompjuterik ta trajtojmë si prioritet dhe në këtë filozofi do të krijohet struktura e posaçme brenda Departamentit të Policisë Kriminale, strukturë që do të jetë e shtrirë në të gjitha strukturat vendore të Policisë.

-Me këtë riorganizim do të shumëfishojmë kapacitetet njerëzore nga ana sasiore, por nga ana tjetër, aktualisht kemi filluar një proces përzgjedhjeje të punonjësve të trajnuar posaçërisht, si dhe do të aplikojmë rekrutimin e punonjësve të rinj, me njohuri të posaçme në fushën e teknologjisë së informacionit dhe krimit kibernetik.

Gjej rastin që të përgëzoj të gjithë pjesëmarrësit në këtë hetim dhe në operacionin përmbyllës, si dhe partnerët që na kanë besuar dhe kanë ndarë informacionet e tyre me ne, duke i siguruar edhe një herë për besimin, seriozitetin, profesionalizmin dhe përkushtimin e Policisë së Shtetit, e cila edhe në këtë rast do të jetë partnere e denjë për luftën e përbashkët kundër çdo shfaqjeje të kriminalitetit.

Ju faleminderit!”