Fier – Zbardhet dhe dokumentohet vjedhja me thyerje e mbetur në tentativë e dyqanit të celularëve, ndodhur 1 javë më parë në Fier

Zbardhet dhe dokumentohet vjedhja me thyerje e mbetur në tentativë e dyqanit të celularëve, ndodhur 1 javë më parë në Fier.
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Agimi”.
Bien në prangat e policisë dy prej autorëve, shpallen në kërkim dy autorë të tjerë.
Në vijim të punës intensive dhe veprimeve operative hetimore për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur orët e para të mëngjesit të datës 17.01.2021, ku u tentua të vidhet me thyerje dyqani i celularëve në pronësi të shtetasit R. C., nga Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, u realizua me sukses operacioni policor i koduar “Agimi”.
Në kuadër të këtij operacioni, u bë i mundur identifikimi i autorëve dhe ndalimi i dy prej tyre, shtetasve G. F., 32 vjeç, banues në Peshtan, Fier, (i dënuar më parë për vjedhje) dhe E. G., 26 vjeç, banues në Zhupan, Fier.
U shpallën në kërkim dhe po punohet për kapjen e dy autorëve të tjerë, shtetasve A. F., 32 vjeç, banues në Peshtan i Vogël dhe G. B., 33 vjeç, banues në Fier.
Gjatë tentativës për vjedhje, autorët janë pikasur nga një punonjës i policisë i cili ka ndërhyrë për të parandaluar vjedhjen duke u përplasur fizikisht me autorët, të cilët gjatë largimit kanë goditur me automjetin e tyre tip “Ford” mjetin privat të punonjësit të policisë.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti tip “Ford” i cili nga hetimet e kryera rezulton se është vjedhur në Tiranë në datë 13.12.2020 nga këta shtetas.
Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan edhe 6 aparate celularë.
Vijon puna për dokumentimin me prova ligjore të vjedhjeve të tjera të dyshuara të kryera nga ky grup kriminal.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Vjedhje me dhunë e mbetur në tentativë”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” të kryera në bashkëpunim.