Fier
Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Kapet dhe arrestohet një shtetas pasi në datë 21.01.2021 vodhi një automjet në fshatin Varibob, si edhe procedohet një tjetër pasi vodhi një sasi të vogël lekësh në një shkollë në Fier.
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe zbardhjen e rasteve të vjedhjeve të pronës dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve, si rezultat i punës operative, hetimore dhe profesionale, arrestuan shtetasin:
V. Sh., 36 vjeç, banues në lagjen “Sheq i Madh”, Fier.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi në datë 21.01.2021, në fshatin Varibob, ka vjedhur automjetin tip “Benz” në pronësi të shtetasit A. V., 48 vjeç.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale automjeti i vjedhur dhe 2 aparate celularë.
Gjithashtu, u bë e mundur edhe zbardhja e vjedhjes së një shkolle 9-vjeçare në Fier, ku u procedua penalisht autori i dyshuar, shtetasi K. Gj., 16 vjeç, i cili në datë 18.11.2020, ka vjedhur një sasi të vogël lekësh në zyrën e drejtoreshës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”.