Goditet një grup, i cili prodhonte dhe shpërndante lëndë narkotike.
Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, sekuestrohen 43.5 kg lëndë narkotike kanabis në formë çokollate.
Pas një hetimi njëmujor me përdorimin e metodave speciale të hetimit, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Task-Forcën e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier, Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe DVP Vlorë u finalizua operacioni antidrogë i koduar “Zhupani”.
Operacioni filloi që në orët e para të mëngjesit të sotëm në lagjen “1 Maj”, në Fier dhe u finalizua në qytetin e Vlorës.
Në përfundim të këtij operacioni, u bë arrestimi në flagracë i shtetasve:
A. M., 40 vjeç, banues në Fier.
M. K., 46 vjeç, banues në Fier
K. Sh., 40 vjeç, banues në Vlorë.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, prodhonin dhe shisnin lëndë narkotike në Qarkun e Fierit dhe Vlorës.
Gjatë operacionit u sekuestruan 43.5 kg lëndë narkotike e dyshuar kanabis në formë çokollate.
Materialet do i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.