Elbasan – Vihet në pranga 1 shtetas, procedohen penalisht 2 të tjerë

Elbasan

Shërbimet hetimore dhe operacionale të DVP Elbasan ndaluan shtetasin E. M., 39 vjeç, banues në Elbasan, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, me vendimin e datës 22.06.2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Nga veprimet hetimore të kryera nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, rezultoi se 39-vjeçari, më datë 17.06.2022, në lagjen “Skënderbej”, Elbasan, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë, në drejtim të një automjeti që ndodhej në lëvizje, duke shkaktuar për pasojë, vetëm dëme materiale. Vijojnë hetimet me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë së plotë penale të shtetasit E. M.

Më datë 30.01.2023, rreth orës 12:00, një shtetase 34 vjeçe është paraqitur në ambientet e Maternitetit të Elbasanit, ka kryer një procedurë aborti dhe më pas është larguar në banesë. Rreth orës 18:00 të së njëjtës ditë, dyshohet se për shkak të komplikimeve të gjendjes shëndetësore, kjo shtetase ka njoftuar shërbimet e ambulancës, të cilat e kanë transportuar atë në Maternitetin e Elbasanit, ku kjo shtetase ka humbur jetën. Për këtë rast, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan kanë iniciuar procedimin penal për shtetasit A. P., 56 vjeç dhe B. Gj., 60 vjeç, mjekë në Maternitetin e Elbasanit, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.