Elbasan – Procedohen penalisht 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale

Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasin E. Z., banues në Elbasan, administrator i një kompanie, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, pasi gjatë kontollit të ushtruar në ambientet e kompanisë, është gjetur një mjet tip ekskavator që përdorej për nxjerrjen e inerteve në lumin Shkumbin. Gjithashtu, në ambientet e kompanisë, janë gjetur inerte të përpunuara, për të cilat nuk disponoheshin dokumente të plota shoqëruese. Në cilësinë e provës materiale u bllokua mjeti tip ekskavator.

Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Elbasan proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasin H. D., 29 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”, pasi ka kundërshtuar punonjësin e Ujësjellës Kanalizime Elbasan, për ndërprerjen e lidhjes së ujit të pijshëm.

Po nga këto shërbime u proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, shtetasit R. T., 59 vjeç dhe M. Ç., 45 vjeç, banues në lagjen “Visarion Xhuvani“, Elbasan, pasi janë konfliktuar fizikisht me njëri-tjetrin, për motive të dobëta.

Specialistët e Hetimit të Krimit të Komisariatit të Policisë Peqin proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasin G. K., 30 vjeç, banues në fshatin Lisnaj, Peqin, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëjetueses së tij.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.