Finalizohet operacioni policor i koduar “Bradasheshi”.
Goditet një rast i trafikimit të minave me telekomandë.
Sekuestrohen dy mina me telekomandë.
Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të minave me telekomandë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas që ndodhej në një lokal në fshatin Bradashesh, Elbasan, kishte me vete mina me telekomandë, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bradasheshi, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi: A. K., 48 vjeç, banues në Durrës.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 mina me telekomandë.
Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan, po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.