Finalizohet nga Komisariati i Policisë Elbasan, operacioni policor i koduar “2nd Necklace”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes.
Vodhi varsën e një shtetaseje, shërbimet e Policisë identifikojnë dhe vënë në pranga 25-vjeçarin, përsëritës për veprën penale të vjedhjes.
Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të ndodhura më parë, si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, nisur nga denoncimi i një shtetaseje se në datën 08.07.2022, në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, një shtetas i kishte vjedhur varsen, organizuan menjëherë punën dhe finalizuan operacionin policor të koduar “2nd Necklace”.
Si rezultat i këtij operacioni, shërbimet e Policisë bënë të mundur identifikimin e autorit të vjedhjes së denoncuar, si dhe kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit:
-P. B., 25 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Vjedhja”, kryer më shumë se një herë.
Nga veprimet hetimore, rezulton se ky shtetas është autor edhe i vjedhjeve të tjera në qytetin e Elbasanit. Strukturat e Policisë vijojnë punën me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të tyre.
Gjatë kontrollit të banesës së 25-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, varsen e vjedhur.
Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.