DVP Vlorë/ Monitorim intensiv me teknologji bashkëkohore për rritjen e sigurisë rrugore gjatë sezonit veror

DVP Vlorë/ Monitorim intensiv me teknologji bashkëkohore për rritjen e sigurisë rrugore gjatë sezonit veror

Policia Rrugore e Vlorës vijon monitorimin intensiv të akseve rrugore në të gjithë qarkun, me përdorimin e dronëve, radarëve dhe automjeteve inteligjente, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe menaxhimin e trafikut gjatë fluksit të shtuar të automjeteve.

Në fokus të kontrolleve janë drejtuesit e mjeteve që drejtojnë nën efektin e alkoolit, pa leje drejtimi, tejkalojnë shpejtësinë e lejuar apo kryejnë manovra të rrezikshme, shkelje që shpesh bëhen shkak për ngjarje rrugore me pasoja.

Si rezultat i kontrolleve të zhvilluara gjatë periudhës 25–31 korrik 2026, janë arrestuar 6 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 7 të tjerë, për veprën penale “Drejtimi i mjeteve në mënyrë të parregullt”.

Gjatë kësaj periudhe janë vendosur gjithsej 3459 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor, konkretisht:

1250 masa për tejkalim të shpejtësisë;

320 masa për mospërdorim të kaskës mbrojtëse;

99 masa për parakalime të gabuara;

80 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit;

63 masa për xhama të zinj;

61 masa për mosdhënie përparësie këmbësorëve;

32 masa për pozicionim të gabuar të mjetit;

30 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit;

29 masa për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;

1495 masa për shkelje të tjera të Kodit Rrugor.

Kontrollet e Policisë Rrugore të Vlorës do të vijojnë në të gjitha akset urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet logjistike bashkëkohore, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.

Policia Rrugore e Vlorës apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në krijimin e një mjedisi më të sigurt për të gjithë përdoruesit e rrugës.

Ftohen qytetarët të denoncojnë në numrin pa pagesë 112 çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.