DVP Tiranë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “The wanted”.
Kapet dhe vihet në pranga, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Organizatë kriminale, me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës”.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën informative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “The wanted”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Komisatiatit të Policisë Nr. 2, në një bilardo në Komunën e Parisit, kanë lokalizuar dhe ndaluar shtetasin J. Sh. (G)., 42 vjeç, banues në Fier.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Firenzes, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Organizatë kriminale, me qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.