DVP Tiranë
Finalizohet nga Sektori i Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, operacioni policor i koduar “Milano 2”.
I akuzuar nga autoritetet italiane, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, kapet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Itali, një 35-vjeçar.
Shërbimet e Sektorit të Forcës së Posaçme për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar në inteligjencën informative mbi vendndodhjen e një shtetasi në kërkim, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Milano 2″.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në Sauk, dhe kanë arrestuar me qëllim ekstradimin, shtetasin S. S., 35 vjeç.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Milanos, Itali, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Pjesëmarrje në grup kriminal, me qëllim trafikimin e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.
Interpol Tirana vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.