DVP Tiranë
Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, operacioni policor i koduar “Kashari”.
Shisnin lëndë narkotike kanabis, në lokalin e tyre, vihen në pranga 2 shtetas (babë e bir).
Shpallet në kërkim një 28-vjeçar, bashkëpunëtor me këta 2 shtetas.
Procedohet në gjendje një shtetas që dyshohet se ka blerë lëndë narkotike në këtë lokal.
Sekuestrohet 1 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, që u gjet gjatë kontrollit në lokal.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca operative, për një rast të shitjes së lëndëve narkotike, kanë organizuar dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Kashari”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-D. K., 50 vjeç dhe G. K., 20 vjeç (babë e bir), banues në Kashar;
-u shpall në kërkim shtetasi E. K., 28 vjeç, banues në Kashar;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. V., 21 vjeç.
Shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar, në afërsi të liqenit të Kasharit, shtetasin D. V., 21 vjeç, të cilit gjatë kontrollit fizik, i kanë gjetur doza me lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se shtetasi D. V. e kishte blerë lëndën narkotike te lokali i shtetasve D. K. dhe G. K. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit të lokalit të këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë gjetën 1 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.