DVP Tiranë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Foreign”, nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Shfrytëzonte shtetase të huaja, për prostitucion, kapet dhe vihet në pranga 29-vjeçari.
Procedohen penalisht 4 shtetase që ushtronin prostitucionin.
Punohet për kapjen e një shtetaseje tjetër, të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vijim të punës për goditjet e paligjshmërive në çdo formë të shfaqjes së tyre, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2023, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Foreign”.
Në kuadër të këtij operacioni u ndalua shtetasi T. G., 29 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Prostitucioni”, “Shfrytëzimi i prostiucionit”, “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”, dhe “Trafikimi i personave të rritur”.
Ky shtetas është kapur në flagrancë, në Rrugën e Dibrës, duke marrë 100 euro, nga dy shtetase të huaja, të cilat dyshohet se i shfrytëzonte për prostitucion.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se 29-vjeçari, pasi krijonte kontakte me shtetase të huaja, të cilat akomodoheshin në Shqipëri, dhe në bashkëpunim me motrën e tij, shtetasen B. G., 36 vjeçe, nëpërmjet shantazhit, i detyronte dhe i shfrytëzonte ato për prostitucion, kundrejt përfitimeve monetare.
Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal për 4 shtetase të huaja, të moshave 44 vjeçe, 39 vjeçe, 32 vjeçe, dhe 25 vjeçe.
Punohet për kapjen e shtetases B. G.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pra Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.