DVP Tiranë
Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit, në kuadër të një procedimi penal të vitit 2024, ndjekur me metoda speciale të hetimit, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës për Operacionet Speciale dhe Kërkimin, dhe Sektorin e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Big Match”.
Në kuadër të këtij operacioni, pas një pune hetimore të mirorganizuar, janë identifikuar subjekte dhe shtetas të dyshuar, që kryejnë aktivitetin e paligjshëm të organizimit dhe përshtatjes së ambienteve për lotari sportive.
Gjatë kontrolleve në këto subjekte janë kapur dhe arrestuar në flagrancë shtetasit:
- A. M., 49 vjeç, A. S., 50 vjeç, D. S., 48 vjeç, F. K., 22 vjeç, H. M., 28 vjeç, I. S., 46 vjeç, K. L., 25 vjeç, Sh. B., 60 vjeç, K. B., 31 vjeç, R. Xh., 36 vjeç, dhe M. D., 21 vjeç.
Gjithashtu, janë proceduar në gjendje të lirë shtetasit F. S., 23 vjeç, dhe L. K., 28 vjeç.
Po në kuadër të këtij operacioni u shpall në kërkim shtetasi I. R., 40 vjeç.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në lokale të ndryshme në Tiranë, të cilat ishin përshtatur për organizimin e lotarive të palejuara, këta shtetas janë kapur në flagrancë duke ushtruar veprimtarinë e paligjshme të lojërave të fatit.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 13 celularë që shërbenin për ushtrimin e lojërave të fatit, 224 000 lekë të rinj dhe 2720 euro, të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari e paligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.