DVP Shkodër/Procedohen në gjendje të lirë 6 shtetas, për vepra penale të ndryshme

DVP Shkodër/Procedohen në gjendje të lirë 6 shtetas, për vepra penale të ndryshme.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit R. S., 48 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare të fshatit Grudë e Re dhe Gj. D., 66 vjeç, ish-drejtor i kësaj shkolle, sepse pas informacioneve të marra nga emisioni investigativ “Fiks Fare” dhe verifikimeve të kryera në shkollën 9-vjeçare të fshatit Grudë e Re, Shkodër, ka rezultuar se shtetasi R. M., 59 vjeç, banues në Shkodër, është punësuar si mësues matematike në këtë shkollë, pa dorëzuar raportin mjekësor që tregon aftësinë për punë. Gjithashtu, për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, edhe për shtetasen D. K., 45 vjeçe, me detyrë mjeke e zonës, pasi më datë 20.03.2024, ka lëshuar një dokument që tregon se shtetasi R. M. është i aftë për punë, pavarësisht se ai është i diagnostikuar me sëmundje mendore.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. L., 24 vjeç, banues në Shkoddër, pasi gjatë kontrollit fizik nga shërbimet e Policisë i është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike cannabis sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin A. M., 29 vjeç, banues në fshatin Balldre, pasi në aksin rrugor Shkodër-Lezhë, me automjetin që drejtonte, ka përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin Z. M., 62 vjeç. Nga përplasja është dëmtuar lehtë 62-vjeçari.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. Gj., banues në fshatin Vuksanaj, pasi ka ndërtuar pa lejen e organeve kompetente, 4 objekte me lëndë drusore, mbi platforma betoni, në fshatin Theth.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.