Shkodër/Finalizohet operacioni policor antidrogë i koduar “Adekuat”.
Goditën 2 raste të tjera të sigurimit të lëndëve narkotike, për shitje në sasi dhe në doza.
Sekuestrohen 1.3 kg lëndë narkotike cannabis sativa, si dhe dhjetëra doza të kësaj lënde dhe të lëndës narkotike kokainë.
✅Kishin përshtatur lokalin që kishin në pronësi, në lagjen “Skënderbeg”, për shitjen e dozave të kokainës dhe cannabis sativës, arrestohen 2 shtetas (babë e bir).
-Procedohet në gjendje të lirë një 22-vjeçar që u kap në këtë lokal, me doza kokaine me vete.
✅Kishte siguruar rreth 1.3 kg cannabis sativa dhe lëvizte me motomjet, për ta shitur atë në doza, procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, 16-vjeçari.
Në zbatim të planit të posaçëm të masave, të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me fokus parandalimin, konstatimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në qytete, në lokale dhe në afërsi të shkollave, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, të mbështetura nga informacionet e inteligjencës policore, kanë finalizuar operacionin policor antidrogë të koduar “Adekuat”.
Në kuadër të këtij operacioni, janë konstatuar dhe goditur 2 raste të tjera të kësaj veprimtarie kriminale.
-Shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në lokalin në pronësi të shtetasve N. K. dhe P. K. (babë e bir), në lagjen “Skënderbeg”. Nga kontrolli, është konstatuar se ky ambient ishte përshtatur për përdorimin dhe për shitjen në doza, të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, të dy këta shtetas u arrestuan në flagrancë, si dhe u sekuestruan doza të lëndëve narkotike kokainë dhe cannabis sativa. Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. D., 22 vjeç, pasi u kap në këtë lokal, me disa doza të lëndës narkotike kokainë, me vete.
-Në lagjen “Partizani”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontrolle, një 16-vjeçar që qarkullonte me motomjet. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi i janë gjetur disa doza të lëndës narkotike cannabis sativa, ndërsa në banesë i janë gjetur rreth 1.3 kg të kësaj lënde. Nga veprimet hetimore rezultoi se 16-vjeçari e kishte siguruar lëndën narkotike dhe e posedonte atë, në banesë, për ta shitur në doza që i shpërndante me motomjet. Për shkak të moshës, për 16-vjeçarin nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.