DVP Korçë – Vihet në pranga 1 shtetase e shpallur në kërkim dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë ndaluan shtetasen A. F., 23 vjeçe, banuese në Korçë, e shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Më datë 22.07.2022, shërbimet e Policisë nuk e kanë gjetur në banesën e saj 23-vjeçaren, e cila kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, të caktuar me vendimin e datës 11.09.2021, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit F. M., 50 vjeç, banues në Elbasan; T. T., 63 vjeç, banues në Tiranë dhe A. Ç., 59 vjeç, banues në Turqi, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Në Pikën e Kalimit Kufitar Kapshticë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë Kufitare, gjatë procedurës së skanimit të mjeteve kamion tip “Benz”, “Scania” dhe “Renault”, që drejtonin këta shtetas, gjetën të fshehur 14 emigrantë të paligjshëm, të cilët synonin kalimin drejt vendeve të BE-së.

Më datë 25.07.2022, në orët e mbrëmjes, ka rënë zjarr në vendin e quajtur “Ara e Zakos”, mbi fshatin Leminot, Maliq, ku është djegur një sipërfaqe pyjore rreth 2 hektarë, me bimësi të llojeve të ndryshme. Nga hetimet e kryera dyshohet se zjarri mund të jetë vënë qëllimisht. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.