Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë arrestimin në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja”, të shtetasit M. F., 35 vjeç, banues në Korçë, pasi ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, duke djegur një kabllo të vjedhur ditën e djeshme tek Qendra e Kujdesit Mendor, në lagjen nr. 4, Korçë.
Gjithashtu, nga hetimet e kryera rezulton se ky shtetas, më datë 29.04.2022, ka vjedhur 15 m kabllo elektrike, po në këtë qendër.
—
Po nga këto struktura, në vijim të operacionit policor “Basti i fundit”, për goditjen e organizimit të kundërligjshëm të lojrave të fatit, u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit J. M., 32 vjeç, banues në fshatin Mborje, Korçë dhe A. K., 20 vjeç, banues në Korçë.
Shërbimet e policisë, gjatë kontrolleve të ushtruara, konkretisht në një lokal në fshatin Mborje, Korçë dhe në një lokal në lagjen nr. 18, Korçë, secilit prej këtyre shtetasve iu gjetën e iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale nga 1 aparat celular, që dyshohet se përdorej për vendosjen e basteve sportive.
—
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Korçë referuan materialet në Prokurori dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, për shtetasin M. L., 32 vjeç, banues në Tiranë, pasi në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, shërbimet e Policisë, gjatë procedurës së skanimit të kamionit tip “Scania” që drejtonte nga ky shtetas, gjetën të fshehur në rimorikon e kamionit, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilët synonin të kalonin drejt vendeve të BE-së.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe shpallën në kërkim shtetasit O. B., 37 vjeç dhe U. B., 21 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, pasi në lagjen nr. 3, Pogradec, dyshohet se kanë goditur me grushte, për motive të dobëta, shtetasin E. R., 37 vjeç, banues në Pogradec.
Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore, të papajisur me kasë fiskale, sipas dispozitave ligjore në fuqi”, për shtetasen M. Ll., 30 vjeçe, banuese në fshatin Hudënisht, Pogradec, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin bar-kafe, në pronësi të saj, u konstatua se ushtronte aktivitetin privat, të paregjistruar në organet tatimore dhe të papajisur me kasë fiskale.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori dhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për veprën “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasin S. M., 33 vjeç, banues në Durrës, pasi në fshatin Skorovot, Kolonjë, ky shtetas u konstatua duke kryer punime ndërtimi pa leje.
Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.