DVP Korçë – Vihet në pranga 1 shtetas dhe procedohen penalisht 2 të tjerë për vepra të ndryshme penale

Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Sh. M., 53 vjeç, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, si edhe referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. N., 27 vjeç, banues në fshatin Orman, Maliq, për veprën penale “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Ditën e djeshme, në afërsi të kryqëzimit të fshatit Rëmbec, Maliq, shtetasi Sh. M., duke drejtuar mjetin motor tip “Dayang” pa targë dhe pa leje drejtimi, është përfshirë në një aksident rrugor me mjetin tip “BMW”, me drejtues shtetasin M. N., i cili pas përplasjes u largua nga vendi i aksidentit. Për pasojë, mori dëmtime të lehta trupore shtetasi Sh. M., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. Sh., banues në fshatin Stropskë, Pogradec, për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Ky shtetas u kap nga shërbimet e Policisë, në fshatin Stropskë, Pogradec, duke transportuar me mjetin kamion tip “Benz”, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi, një sasi dru zjarri pa lejen përkatëse.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Pogradec/Informacion paraprak

Më datë 28.07.2022, rreth orës 13:00, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Hudënisht, Pogradec, janë përfshirë në një aksident rrugor mjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin J. M., me mjetin tip kamion, me drejtues shtetasin N. N. Për pasojë ka marrë dëmtime shtetasi J. M., i cili u dërgua për mjekim në Spitalin e Pogradecit, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Me shtetasin N. N., po kryen veprime të mëtejshme procedurale.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.