DVP Korçë – Vihen në pranga 6 shtetas dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë 1 tjetër për vepra të ndryshme penale

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë ndalimin për veprat penale “Punësimi i paligjshëm” dhe “Mashtrimi me produktet ushqimore”, të shtetasit në kërkim S. F., 63 vjeç, banues në fshatin Drenovë, Korçë, pasi gjatë kontrollit që shërbimet e policisë në bashkëpunim me punonjësit e AKU-së dhe Drejtorisë së Tatimeve, ushtruan më datë 10.11.2021, në ambientet e firmës së tij, në lagjen nr. 1, Pogradec, kanë konstatuar tre punonjës të pa siguruar dhe një sasi etiketash produktesh ushqimore, të cilat i përkisnin dy subjekteve të tjera.
————–
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, bënë ndalimin e shtetasit J. (A). H., 51 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e ka dënuar këtë shtetas me 6 muaj burg për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
————–
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të operacionit “Perimetri” për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, të shtetasit R. F., 32 vjeç dhe shtetases V. D., 18 vjeçe, banues në Tiranë.

Këta shtetas janë konstatuar nga shërbimet e policisë, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të fshatit Bulgarec, duke transportuar me mjetin tip “Volvo”, 3 emigrantë të paligjshëm të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
————-
Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” të shtetasit A. K., 64 vjeç, banues në fshatin Biranj, Korçë, pasi ky shtetas u kap pranë kryqëzimit të fshatit Vashtmi, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, në gjendje të dehur.
————-
Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq, bënë arrestimin në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje” të shtetasit V. Dh., 44 vjeç, banues në fshatin Pocestë, Maliq, pasi në banesë, ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike në prani të fëmijëve të mitur, ndaj bashkëshortes së tij shtetases T. Dh., 42 vjeçe, duke i shkaktuar dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit dhe fytyrës.

Po nga këto struktura, filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, për shtetasin B. S., 65 vjeç, banues në fshatin Libonik, Maliq, pasi në oborrin e banesës së tij është konstatuar një godinë në ndërtim e sipër, pa lejen përkatëse.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprime të mëtejshme.