DVP Korçë – Vihen në pranga 2 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 4 të tjerë, për vepra të ndryshme penale

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë bënë ndalimin e shtetasit në kërkim D. R., 31 vjeç, banues në Korçë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë e ka dënuar me 16 ditë burg, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me shërbimet e Sektorit të Policisë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri 182”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. M., 27 vjeç dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. N., 16 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

Shërbimet e Policisë kanë konstatuar shtetasin A. M., në dalje të qytetit të Pogradecit, duke drejtuar mjetin tip “Volksëagen”, me të cilin kishin dyshime se po transportonte emigrantë të paligjshëm.

Pas shenjës për ndalim nga punonjësit e Policisë, shtetasi A. M. nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të mjetit dhe bënë të mundur ndalimin e tij në fshatin Piskupat, Pogradec, në momentin kur drejtuesi tentoi të braktiste mjetin. Nga kontrolli i ushtruar në automjet u gjetën shtetasi E. N., i cili dyshohet të jetë bashkëpunëtori i shtetasit A. M., në transportimin e 4 emigrantëve të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 1100 euro secilit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit B. Xh., 41 vjeç; E. B., 50 vjeçe dhe S. B., 57 vjeç, banues në Pogradec dhe fshatin Memëlisht, Pogradec për veprat penale “Punësimi i paligjshëm”; “Fshehja e të ardhurave”; “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”; “Ndërtimi i paligjshëm”; “Deklaratat e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.

Procedimi penal ndaj tyre filloi pas kallëzimit të bërë nga shtetasja E. B., për dëmtimin e bashkëshortit të saj, shtetasit S. B., në datën 06.07.2022. Shtetasi S. B., punëtor i një subjekti me administrator shtetasin B. Xh., kishte dëmtuar syrin gjatë punimeve të kryera në një objekt kulti (xhami), në fshatin Petrushë, Pogradec. Nga verifikimet e kryera rezulton se këto punime ishin pa leje dhe se shtetasi S. B. ishte punëtor i pasiguruar në këtë firmë. Ditën e ngjarjes, të dy bashkëshortët, shtetasit E. B. dhe S. B. kanë dhënë deklaratë të rremë përpara oficerit të policisë gjyqësore, duke e kallëzuar dëmtimin fizik të shtetasit S. B., si aksidental.

Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.