DVP Korçë – Vihen në pranga 2 shtetas

DVP Korçë

Dyshohet se shfrytëzonte një 16-vjeçare, për prostitucion, vihet në pranga 26-vjeçari.

Vihet në pranga dhe një shtetas që dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me shtetasen e mitur.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për një rast të shfrytëzimit të një shtetaseje të mitur, për prostitucion, arrestuan shtetasit:

S. H., 41 vjeç, banues në fshatin Leminot, Maliq, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”. Gjatë veprimeve të kryera në prezencë të psikologut, prindit dhe mbrojtësit ligjor, 16-vjeçarja ka kallëzuar se në muajin qershor të vitit 2024, ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të dhe i ka dhënë para;

M. B., 26 vjeç, banues në fshatin Podgorie, Maliq, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”, pasi nga veprimet hetimore të kryera për këtë rast, dyshohet se e shfrytëzonte 16-vjeçaren, për prostitucion.

Në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.